Vendosni fjalën kyçe....

Kohë të arta për 3 llojet e bizneseve në Shqipëri


Ndërkohë që pjesa më e madhe e bizneseve janë mbyllur dhe me vështirësi po mbijetojnë për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia e COVID-19 në vend, ekziston një gamë biznesesh që po lulëzojnë në këtë periudhë.

E fjala është pikërisht për 3 lloje biznesesh: makinetat me xhetona pranë supermarkeve/lokaleve të mbyllura, shërbimet “delivery” dhe kompanitë e dezinfektantëve e maskave.

Makinetat me xhetona

Lokalet do jenë ndër bizneset e fundit që do hapen, por për shqiptarët e mësuar me disa kafe në ditë kanë gjetur një mënyrë të përkohshme për të siguruar pijen e tyre.

Administratorët e lokaleve kanë instaluar makinetat në hyrje të bizneseve ku qytetarët mund të marrin shërbime. Por u kërkohet që të respektojnë rregullat për distancimin social.

Kjo është një zgjidhje e përkohshme, e deri në përfundim të gjendjes emergjente, numri i këtyre makinetave pritet të rritet. Por ende nuk ka shifra zyrtare se sa makineta të tilla janë aktualisht në qarkullim.

Shërbimet “Delivery”

Shërbimet “Delivery” ose të dërgimit në shtëpi të ushqimeve janë si një formë e zëvendësimit për biznesin tjetër më të përhapur në Shqipëri – Restorantet.

Shumë nga restorantet në kryeqytet apo edhe në qytete të tjera të vendit, kanë futur si pjesë të aktivitetit të tyre dërgimin e produkteve ushqimore nëpër shtëpitë e klientit, në mënyrë që të mos e mbyllin tërësisht aktivitetin e tyre.

E të shumtë janë të interesuarit për këtë lloj shërbimi, si një mënyrë për të patur një gatim ndryshe nga ai i përditshmi, apo edhe për ata që janë në punë e duan t’i kursejnë vetes kohë.

Tregtimi i dezinfektantëve dhe maskat

Si kurrë më parë është rritur shitja e dezinfektantëve e maskave mbrojtëse për fytyrën gjatë dy muajve të fundit. E nëse në fillim të gjithë drejtoheshin te farmacitë për këto produkte, tani mund të gjenden në çdo supermarket, dhe pikërisht te kasa.

Po ashtu disa rrobaqepësi në kryeqytet, duke parë rritjen e kërkesës kanë nisur prodhimin e maskave mbrojtëse të punuara me dorë me materiale pambuku, të cilat i shesin me shumicë në supermarkete ose me pakicë direkt tek klientët e interesuar.  Disa ofrojnë edhe shërbimin e transportit online të tyre me çmime të përballueshme dhe oferta të ndryshme. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *