Vendosni fjalën kyçe....

Njihuni me Naomi Seibt, vajza që rrjeti e ka pagëzuar si “Anti-Greta”


Bjonde, elokuente dhe europiane si Greta Thunberg… Vajza për të cilin do të flasim në këtë shkrim, është një 19-vjeçare gjermane e cila është skeptike për ndryshimet klimatike dhe muajt e fundit ka fituar shumë famë në rrjet, për shkak të pikëpamjeve të saj që duket se bien ndesh me aktivisten adoleshente, Greta Thunberg.

Naomi përshkruhet nga mbështetësit e saj si “antidot i Greta Thunberg”, dhe po fiton mbështetje nga organizatat e krahut të djathtë, duke përfshirë partinë e ekstremit të djathtë të Gjermanisë, AfD, dhe një grup studimi të lidhur me shtëpinë e Bardhë.

Naomi Seibt filloi të ngarkonte video në “YouTube” vitin e kaluar, me tituj si: “Mesazh për mediat – SI GUXONI?”.

Qëndrimi i 19-vjeçares për klimën, tërhoqi vëmendjen e “The Heartland Institute”, një qendër studimi amerikane me qendër në Çikago, e cila më parë ka lobuar në emër të firmave të duhanit dhe hedh poshtë konsensusin shkencor mbi ndryshimin e klimës.

Organizata, e cila thuhet se ka mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump, kohët e fundit e punësoi Seibt si fytyrën e fushatës së saj, shkruan Independent.

Instituti i Heartland, publikoi një video me titull “Naomi Seibt vs Greta Thunberg: Kujt duhet t’i besojmë?”.

Në këtë video, Seibt thotë: “Shkenca bazohet tërësisht në përulësinë intelektuale dhe është e rëndësishme që të vazhdojmë të vëmë në dyshim narrativën në vend që ta promovojmë atë, dhe këto ditë shkenca për ndryshimin e klimës nuk është aspak shkencë.”

Sa për kritikët që e quajnë atë një mohuese të ndryshimeve klimaterike, Seibt thotë se nuk pranon ta quajnë si të tillë.

“Veçanërisht si gjermane, është kaq e vrazhdë t’i referohesh dikujt si mohues i klimës sepse padyshim që ekziston një lidhje me termin ‘mohues i holokaustit’, i cili ka shumë peshë në Gjermani. “- thotë 19-vjeçarja.

Ajo shton: “Qëllimi i shkencëtarëve të klimës është të turpërojnë njerëzimin. Alarmizmi i ndryshimit të klimës në thelb të tij është një ideologji përçmuese anti-humane, që na kërkon të shohim arritjet tona me turp dhe neveri, dhe madje as të marrim parasysh përfitimet e mëdha që kemi arritur duke përdorur karburantet fosile si burimi ynë kryesor i energjisë.”

Mediat e majta të cilat e kanë mbështetur shumë Thunberg, e portretizojnë Seibt si “antikrishti i të djathtës së keqe”, për shkak se ajo beson se ndikimi i njerëzve në ndryshimet klimatike është i ekzagjeruar. Ndryshe nga sa e quajnë të majtët, Seibt e konsideron veten “realiste të klimës”.

Naomi thotë se ajo e kupton pse Thunberg dhe ajo po vihen nga rrjeti kundër njëra-tjetrës.

“Ishte media gjermane që e nisi në radhë të parë këtë ‘anti-Greta’. Ishte për të më portretizuar si një lloj antikrishti të ligë të së djathtës.”- thotë Naomi, citon RT.

Ajo thotë se ishte e pakënaqur për këtë në fillim, por më pas vendosi të “argëtohej” me etiketimin që i bëhej dhe madje nisi të përfitonte nga kjo.

“Unë nuk jam kundër Greta-s … Unë jam e sigurt se ajo është një vajzë shumë e bukur… e pafajshme në gjithë këtë. Thjesht ajo nuk ka të bëjë me shkencën. Greta është thjesht për të nxitur panik duke u thënë njerëzve të ndryshojnë plotësisht jetën e tyre… Nuk ka të bëjë më me shkencën dhe skepticizmin. Dhe kjo është ajo që është e tmerrshme për këtë.” – shpjegon Naomi.

Naomi thotë se ajo nuk dyshon në faktin se “ndryshimi i klimës është i vërtetë”, por insiston se nuk është asgjë tjetër veçse një proces natyror.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *