Vendosni fjalën kyçe....

Koreja e Veriut pretendon se s’ka asnjë rast me koronavirus, por perëndimi ka dyshime


Koreja e Veriut thotë se asnjë person i vetëm nuk e ka virusin

Pretendimi i Koresë së Veriut se atje nuk ka “asnjë person të vetëm” të infektuar me koronavirus po përballet me një skepticizëm në rritje.

Koreja e Veriut ka aplikuar masa të rrepta të kontrollit dhe ka mbyllur të gjithë kufijtë për shkak të pandemisë që ka vënë në vështirësi të gjithë shtetet e botës, përveç 18.

Komandanti i lartë ushtarak amerikan në Korenë e Jugut e ka cilësuar të “pavërtetë” pretendimin e Koresë së Veriut, duke e cilësuar si thjesht të “pamundur”.

Një ekspert i Koresë së Veriut i tha BBC-së se ka të ngjarë të kishte raste në këtë vend, por jo një shpërthim masiv si në Itali, Spanjë, Iran, apo SHBA.

Sipas një studimi të Universitetit Johns Hopkins, deri tani ka më shumë se një milion raste me koronavirus në të gjithë botën dhe mbi 53 mijë viktima.

Pak Myong-su, i cili është drejtor në selinë qendrore të anti-epidemisë së Koresë së Veriut, i tha agjencisë së lajmeve AFP të premten: “Asnjë person i vetëm nuk është infektuar me koronavirus në vendin tonë deri më tani”.

“Ne kemi kryer masa paraprake dhe shkencore siç janë inspektimet dhe karantina për të gjithë personelin që hyn në vendin tonë dhe dezinfektimin e plotë të të të gjitha mallrave, si dhe mbylljen e kufijve dhe bllokimin e kufijve detarë e ajrorë.”- thotë Myong-su.

A mund të jetë e vërtetë kjo?

Gjenerali amerikan Robert Abrams, kreu i forcave ushtarake amerikane në Korenë e Jugut, ka thënë se është e pavërtetë që Koreja e Veriut nuk ka raste të virusit.

“Unë mund t’ju them se është një pretendim i pamundur bazuar në të gjithë informacionin që kemi parë”–  tha ai në një intervistë të përbashkët me faqet e lajmeve CNN dhe VOA.

Megjithatë ai shtoi se nuk mund të thoshte saktësisht sa raste kishte, e as nuk konfirmoi se nga vinin informacionet.

Oliver Hotham, redaktori drejtues i faqes speciale të lajmeve NK Nees, bie dakord që Koreja e Veriut ka pasur ndoshta disa raste.

“Është shumë e pamundur të mos ketë asnjë rast sepse kufizohet me Kinën dhe Korenë e Jugut. Sidomos me Kinën, duke pasur parasysh sasinë e tregtisë ndërkufitare dhe marrëdhënies ekonomike mes dy vendeve. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se si është e mundur që ata mund ta kishin parandaluar”- tha ai.

Megjithatë, Hotham shton se është “e pamundur” të ketë një shpërthim masiv.

“Ata vërtet morën masa paraprake herët. Unë mendoj se është e mundur që ata të kenë parandaluar një shpërthim masiv”– tha ai.

Si ka reaguar Koreja e Veriut ndaj krizës?

Koreja e Veriut me të vërtetë ka vepruar shumë më shpejt kundër virusit sesa shumë vende të tjera të rajonit.

Në fund të janarit, Koreja e Veriut mbylli kufijtë e saj dhe më vonë karantinoi qindra të huaj në kryeqytetin e Pyongyang. Gjatë asaj kohe, numri i rasteve në Kinë po rritej në mënyrë eksponenciale.

Një raport i NK Neës sugjeron gjithashtu se deri në 10,000 qytetarë ishin vendosur nën izolim në vend, ndërsa rreth 500 ende mbeten ende në karantinë.

A janë ata në Korenë e Veriut të vetëdijshëm për virusin?

Shumica e njerëzve në Korenë e Veriut janë “me të vërtetë të vetëdijshëm” për atë që po ndodh, thotë z. Hotham.

“Ka shumë mbulim mediatik. Pothuajse çdo ditë keni një faqe të tërë në lidhje me përpjekjet që vendi po merr brenda vendit dhe gjithashtu për situatën ndërkombëtare”–  i tha ai BBC-së.

Fyodor Tertitskiy, një studiues i lartë në Universitetin Kookmin, gjithashtu mendon se vendi aktualisht po zhvillon një “fushatë të vazhdueshme propagande që mëson njerëzit se si të parandalojnë përhapjen e virusit”.

Si është sistemi i kujdesit shëndetësor në Korenë e Veriut?

Sipas ekspertëve, përgjigja është “më mirë se sa do të mendonit”, kjo në varësi të vendit ku jeni në Korenë e Veriut.

Tertitsky thotë se sistemi i kujdesit shëndetësor të Koresë së Veriut është “shumë, shumë më mirë se vendet e tjera me një Prodhim të Brendshëm Bruto të ngjashëm”.

“Ajo që ata bënë ishte trajnimi i një numri të madh të mjekëve, të cilët, megjithëse janë më pak të kualifikuar dhe paguhen më pak se kolegët e tyre në Perëndim, ende mund të ofrojnë kujdes shëndetësor bazë për popullatën”– i tha ai BBC-së.

Hotham pajtohet me të, por thotë se numri i mjekëve në Korenë e Veriut i mundëson vendit të merret me sëmundjet themelore, por ndoshta jo aq shumë me sëmundje më serioze, të cilat gjithashtu kanë nevojë për më shumë pajisje të kujdesit shëndetësor.

Sanksionet nga shtetet e tjera, gjithashtu e kanë kufizuar aftësinë e Koresë së Veriut për të marrë pajisje të përparuara mjekësore.

Disa ekspertë ndërkombëtarë thonë se sistemi shëndetësor i Koresë së Veriut është i tmerrshëm

Hotham shton se kujdesi shëndetësor varet shumë edhe nga vendi. Për shembull, Pyongyang ka lehtësira të ndryshme mjekësore, por ata në zonat rurale mund të mos jenë aq me fat.

“Disa provinca janë mjaft të dobëta, me spitale pa ujë të rrjedhshëm ose pa energji elektrike të qëndrueshme.”

Pse Koreja e Veriut mund të përpiqet t’i fshehë rastet?

Për Korenë e Veriut të pranojë se ka raste tani, mund të jetë një shenjë e “humbjes“.

“Shteti ka hedhur shumë nga rezervat e tij në përgjigjen e tij ndaj koronavirusit dhe ka pasur shumë propagandë se sa mirë po e bëjnë”– tha z. Hotham.

“Unë mendoj që për ata, të pranojnë tani që ka pasur raste në thelb i bie të pranojnë humbjen. Unë mendoj se gjithashtu do të shkaktonte panik dhe njerëzit do të sulmoheshin. Nëse ka lëvizje të mëdha të njerëzve që përpiqen të largohen, kjo mund të krijojë paqëndrueshmëri dhe madje më shumë infeksione.”

Tertitskiy thotë gjithashtu se vendi është shumë paranojak në lidhje me dhënien e informacionit që mund ta bëjë atë të duket keq.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC-së/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *