Del nga spitali mjeku Dhimitër Kraja, i cili ishte i infektuar me koronavirus. Lajmi është konfirmuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“Lajm i mirë. Sapo ka dalë nga spitali infektiv i shëruar prof. Dhimitër Kraja! #FORCA”– shkruan ministrja.
Mjeku Dhimitër Kraja i cili ishte i dalë në pension, por që iu përgjigj menjëherë thirrjes për të ndihmuar në luftën ndaj koronavirusit, u konfirmua si i infektuar para një jave.
Siç njoftonte mjeku tjetër i Spitalit infektiv, Pëllumb Pipero, Kraja kishte vetëm shenja të lehta.
Pak më herët Manastirliu tha se ka shkuar në 18 numri i personelit mjekësor që ka fituar betejën me koronavirusin, pasi edhe 3 infermierë ishin shëruar. Me mjekun Kraja, tanimë kemi 19 mjekë e infermierë të shëruar.
Ditën e djeshme ka shkuar në 304 numri i personave të infektuar me koronavirus në vend, me 27 raste të reja të konfirmuara në vetëm 24 orët e fundit.