Vendosni fjalën kyçe....

Kriza si test i përgjithshëm shoqëror


Nga Gertjan Veshaj

Studimi i kujdesshëm dhe parashikimi i rreziqeve që administrata publike e një vendi duhet të kryejë me qëllim uljen e nivelit të paqartësisë, pasigurisë, marrjen e masave dhe veprimit paraprak, përgjatë dhe mbas kalimit të rrezikut për të ruajtur jetët e qytetarëve, ambientin, punonjësit dhe sistemin financiar, është përkufizimi i manaxhimit publik i krizave sipas Glaesser-it.

Administrata publike gjendet në krizë në momentin kur statusi institucional i saj është i sfiduar, duke filluar prej stukturat organizative bazë deri te parimet, vlerat prej një rreziku eminent që mund t’i transformojë ato përkohësisht apo përfundimisht. Pa asnjë dyshim, situata e tanishme botërore dhe ajo në të cilën gjendet Shqipëria cilësohet si e tillë.

Autorë të tjerë, si Prideaux, mendojnë se krizat mund të çojnë në situata kritike ku ndryshimi për mirë apo për keq është i pashmangshëm dhe gjithë vëmendja duhet të shkojë në sigurinë e njerëzve dhe të institucioneve. Në aspektin publik, kriza pra është ajo fazë e manaxhimit kur situata i afrohet “fazës së rrezikshme” e cila kërkon ndërhyje urgjente për të shmangur efektet negative në strukturën organizative si dhe duhen bërë përpjekje për ta sjellë atë në normalitet sa më parë.

Në teori do të ishte normale që kur arrijnë në një fazë të tillë, principet e manaxhimit të krizës të jenë të karakterizuara nga rregullat. Parimi kryesor është përshtatja e strukturës shtetërore në funksionin e vet asistues. “Primum vivere, deinde philosophari’ – shqetësimi kryesor shkon për të siguruar jetesën dhe më pas mund të filozofojmë. Manaxhimi i tipit “one man management” shkon vetëm për t’i deleguar vendimarrjen strukturës kompetente për manaxhimin e saj, e jo të përdoret për arsye politike. Në vijim, pasojnë parime të tjera si ajo e përgjegjësisë publike, i unitetit, i universalitetit, etj. Praktika tregon se ekperienca e menaxhimit të krizës ndryshon bazuar në shumë faktorë, si lloji i sistemit në të cilën kriza zhvillohet, modeli ekonomik i zhvillimit të brendshëm, kultura e përgjithshme e shoqërisë, mënyra dhe aftësia vendimmarrëve publike, llogaridhënia, etj. 

Kriza përbën një rrezik më të madh për vendet më pak të zhvilluara ekonomikisht apo atyre me një sistem demokratik të pa konsoliduar. Aftësia reaguese e strukturës shtetërore është në përpjestim të drejtë me nivelin ekonomik të zhvillimit, nivelin zhvillimor të administratës së tij, e ponderuar kjo me kulturën vendimmarrëse dhe nivelin e korrupsionit në një vend të caktuar. Raste të tilla, jo vetëm që sprovojnë strukturën, por testojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë zhvillimin ekonomik dhe politik të një vendi. Në fund të ditës, ekonomia në thelbin e saj nënkupton prioritet e caktuara, atëherë kur politikbërja nuk ndodhet nën stresin e krizës dhe nën stresin e alokimeve të burimeve kur ato nevojiten. Gjykimi mbi vlerat nuk është më abstrakt, por bazohet në realitet. Aftësia reaguese bazohet në masat ekonomike dhe administrative të marra më parë, të cilat në vetvete nënkuptojnë vlera dhe vendimmarrje etike. Mungesa e aftësive reaguese tregojnë pikërisht një mangësi vlerash dhe mungesë etike gjatë fazës përgatitore ose zbatuese.

Kriza është përballja me realitetin, matja e suksesit të reformave në kohë reale dhe në mënyrë të prekshme dhe të dukshme publikisht. Është pikërisht kjo fazë kur politika përballet me efektet e saj, që politikbërësit i peshohen politikat e veta dhe udhëheqësve politik vizionet. Në një sistem demokratik vlera e dimensionit ekonomik që i bashkangjitet, përbën pikërisht dhe diferencën në sjellje dhe në reagimin anti-krizë. Konvergjenca e trajektoreve morale dhe racionale në traditën humaniste të viteve pas 1948-s, përqafimi i të drejtave themelore të njeriut, përfshirë ato ekonomike, nënkuptojnë që vlera e lirisë dhe e barazisë është detyrimi për të bërë jo vetëm atë që është “e drejtë’, por dhe atë që është “e mirë”. Në vendet autoritare ky diskutim nuk do të kishte kuptim pasi e drejta dhe e mira paracaktohet në mënyrë arbitrare, ndërsa në vendet e varfra, parimet dhe vlerat cënohen për pamundësi ekonomike apo dritëshkurtësi administrative.

Brenda një realiteti të caktuar administrativo-politik, palët politike kanë mundësi për të rishikuar politikat e tyre, për të riprogramuar politikat dhe rishënjestruar argumentet politikë. Testi nuk është vetëm për atë që drejton, por dhe për ata që kërkojnë të drejtojnë në të ardhmen. Më të njëjtin transparencë që kriza arrin të masë output-in e reformave politike, po më të njëjtin transparencë mat cilësinë dhe besueshmërinë e argumentit politik të palës që kritikon reformat në fjalë.

Mbas reflektimit, ndryshimet strukturore do të duhet të pasojnë, reforma ekonomike dhe specifike në fushat përkatëse. Perceptimi i krizës si një ngjarje e veçantë, çon në trajtimin e disa prej simptomave të saj, ndërsa qasja sistematike dhe proçeduriale na mundëson një mbulim më të madh të simptomave në kohë dhe në përhapje gjeografike. Sfidat më të cilat përballet manaxhimi sot përmblidhen në tre probleme kryesore. Problemi i parë është vullneti i ulët politik në hartimin e politikave të qenësishme. E dyta, ka një mungesë kordinimi midis institucioneve të cilat merren me menaxhimin dhe hartimin e politikave. E treta që na prek ne në mënyrë edhe më të drejtpërdrejtë, është mungesa e kapaciteteve dhe e burimeve për tu përballur me krizat.

*Autori është pedagog në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *