Vendosni fjalën kyçe....

Masat për koronavirusin, Banka e Shqipërisë ul normën e interesit nga 1% në 0,5%


Banka e Shqipërisë ka vendosur uljen e normës bazë të interesit, si një masë për të luftuar efektet e përhapjes së koronvirusit.

Lajmi është konfirmuar në një dalje për mediat, nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Ai tha se norma bazë e interesit do ulet nga 1% në 0,5%, niveli më i ulët ky në histori.

“Ndodhem sot para jush, në këtë format jo të zakonshëm komunikimi, për t’ju bërë me dije vendimin e fundit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Ky vendim merret në vazhdim të masave të mëparshme të Bankës së Shqipërisë për zbutjen e ndikimit të pandemisë COVID-19 në shëndetin ekonomik dhe financiar të vendit.

Sot, në mbledhjen e datës 25 mars 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lehtësojë më tej qëndrimin e politikës monetare dhe kushtet monetare e financiare në vend. Më konkretisht, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

Të ulë normën bazë të interesit, nga 1.0% në 0.5%;
Të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga 1.9% në 0.9%;

Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 0.1%.

Përhapja e pandemisë COVID-19 në Shqipëri përbën një sfidë për ekonominë dhe sektorin tonë financiar. Masat e nevojshme të kujdesit, të marra nga autoritetet publike dhe private për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19 në popullsi, do të kenë dhe një ndikim të dyfishtë në aktivitetin ekonomik. Nga njëra anë, reduktimi i përkohshëm i prodhimit dhe punësimit sjell uljen e ofertës së mallrave e shërbimeve në treg dhe reduktimin e të ardhurave të familjeve. Nga ana tjetër, distancimi social sjell rënien e kërkesës, si dhe tkurrjen e shitjeve, të të ardhurave dhe të likuiditetit të bizneseve.”– tha Sejko.

Mes të tjerash ai argumentoi, se kjo ishte një masë e nevojshme për minimizimin e efekteve të pandemisë. Sejko thotë se kjo do reduktojë koston e huamarrjes së re, koston e shërbimit të borxhit ekzistues dhe do sjellë lehtësime të tjera.

“Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Ajo ndihmon funksionimin sa më normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare si dhe lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes.”- vijoi Sejko.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *