Vendosni fjalën kyçe....

Bushati propozon kthimin e shtetasëve shqiptarë jo-rezidentë në vendet e huaja: Rrezikojnë të penalizohen nga skadimi i afatit


Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka propozuar që të identifikohen dhe t’i mundësohet kthimi i në Shqipëri të gjithë shtetasëve që ndodhen jashtë pasi rrezikojnë penalitetet nga skadimi i afateve të qëndrimit jashtë kufijve.

Bushati gjithashtu propozon edhe një komunikim me Komisionin Evropian që në pamundësi të kthimit të mos aktivizohen penalitetet për shkak të mbarimit të afatit 90 ditor të qëndrimit në zonën Schengen.

Reagimi i plotë i Ditmir Bushatit:

Të dashur bashkëatdhetarë,
Jemi të gjithë sot në një situatë të paprecedentë sepse e tillë është vetë natyra e kësaj Pandemie që s’njeh kufij dhe që ka detyruar e po detyron një e nga një shtetet t’i mbyllin ato.

Masat e ndërmarra janë të domosdoshme megjithëse kanë shkaktuar vështirësi në funksionimin e rrjedhës normale të jetës. Jeta, shëndeti dhe siguria e çdo qytetari ka përparësi absolute.

Por besoj se krahas masave shtrënguese të pashmangshme, duhet të gjejmë edhe mjete e mënyra për të ndihmuar çdo bashkëatdhetar, aty ku janë mundësitë.

E kam fjalën pikërisht për ato qindra qytetarë shqiptarë që kjo situatë i gjeti në befasi jashtë vendit. Dikë në udhëtim në kufijtë kohor të qëndrimit të lejuar brenda zonës Schengen, dikë për trajtim mjekësor e dikë tjetër për qëllime studimi. Këta qytetarë me të drejtë kërkojnë të kthehen një orë e më parë në Shqipëri pranë familjeve të tyre.

Në kushtet kur kthimi në atdhe duket një mision i pamundur, është i nevojshëm informimi i tyre, qartësimi i procedurave dhe rrugëve që mundëson kthimin e tyre në atdhe në përputhje me praktikat ndërkombëtare për situata të tilla.

Po kështu, duhet kërkuar ndihma e Komisionit Europian dhe Vendeve Anëtare të BE-së që askush prej shetatasve shqiptar të mos penalizohet në rastet e tejkalimit të periudhës 90 ditore në zonën Schengen.

Ne nuk mund të parashikojmë se sa do të zgjas kjo situatë. Por, duhet të evidentojmë rastet e bashkëatdhetarëve të mbetur jashtë Shqipërisë për shkak të kësaj situate dhe përmes bashkëpunimit ndërshtetëror të sigurojmë një kalim të sigurtë që mundëson kthimin e qytetarëve në atdhe.

Me kurajë, ndërgjegjësim e solidaritet do ta kalojmë edhe këtë situatë!

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *