Vendosni fjalën kyçe....

Një mjek i infektuar – Deklaratat kontradiktore për stafin mjekësor në Durrës


Sot Ministria e Shëndetësisë konfirmoi mjekun e parë që del pozitiv në Durrës, pas analizave për virusin Covid-19, i cili u infektua duke u kujdesur për të moshuarën që ndërroi jetë pikërisht nga ky virus.

Rasti i 73-vjeçare në Durrës ngriti shqetësime pak ditë më parë mbi gjendjen e mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit, të cilët ishin kujdesur për të për disa ditë pa e ditur se ajo ishte e prekur nga koronavirusi pasi nuk i ishte nënshtruar testimit.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kryeministri Edi Rama u nxituan duke dalë në një deklaratë të përbashkët dy ditë më parë, për të thënë se asnjë mjek apo infermier i spitalit të Durrësit nuk është infektuar.

Madje ata deklaruan se po jepnin “një lajm të gëzuar”, ndërsa dënuan sipas tyre propagandën që po përhap panik.

“Është një moment i gëzuar edhe pse jemi ende përballë të panjohurave që na vënë Covidi, ky virus i ri që nha e hëna është konfirmuar që qarkullon edhe në Shqipëri. Unë dua që ta ndaj këtë lajm me ju për të parën herë, pasi jo vetëm që Propaganda në këto ditë vijon të japë lajme të rreme e mbi të gjitha të nxisë panik të vazhdueshëm tek qytetarët dhe te personeli mjekësor.

Me kampionin e parë të testimeve që kemi zhvilluar në spitalin e Durrësit me mjekët dhe infermierët, dua që të njoftoj që të gjithë testimet janë negative.  Kjo do të thotë se të gjithë mjekët dhe infermierëy kanë ndjekur protokollet.”- janë fjalët e Manastirliut.

E vetëm dy ditë më pas, Manastirliu nuk doli vetë por nxorri zv.ministren Mira Rakaçolli për të dhënë lajmin e keq se një mjek i këtij spitali është konfirmuar me koronavirus.

Zv.ministrja tha se nga 39 mjekë e infermierë që janë testuar në 24 orët e fundit, vetëm njëri ka rezultuar pozitiv. Kjo e ka çuar numrin e mjekëve e infermierëve të testuar në 89, ndërsa po sipas Ministrisë së Shëndetësisë priten rezultatet e testimeve të 50 personave të tjerë.

“Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës.
Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit.”- janë fjalët e Rakaçollit.

Kjo duket e paqartë, pasi pak kohë më parë specialistja e Shëndetit Publik Silva Bino, e ftuar në emisionin “Opinion” tha se në vendin tonë laboratori i ISHP-së mund të kryejë deri në 300-500 testime në ditë për koronavirusin. Ndërkohë që testimet për mjekët e Durrësit nuk i ka mbuluar njëkohësisht edhe pse ISHP i paska kapacitetet, por po lë të kalojë kohë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *