Vendosni fjalën kyçe....

“Dështimi i Ramës kushton jetë kësaj here, s’do ndalemi së thëni të vërtetën” – PD i rendit Ramës listën


Partia Demokratike ka reaguar pas padisë së deputetëve socialistë ndaj ish-kryeministrit Berisha.

Në deklaratën e selisë blu thuhet se kryeministri Rama i kapur i papërgatitur dhe i papërgjegjshëm kërkon të fusë në karantinë të vërtetën për të mbuluar dështimet e qeverisë së tij

PD-ja deklaron se kësaj here dështimi i Ramës e qeverisjes së tij kushton jetë dhe asnjë kërcënim, padi a shantazh nuk do e largojë atë nga e vërteta.

‘Pa ide, i papërgatitur dhe i papërgjegjshëm, Edi Rama po kërkon të fusë të vërtetën në karantinë.  PO bën gjithçka që të politizojë denoncimet që nxjerrin në pah dështimin e tij dhe të qeverisë së tij për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi. Këtë herë dështimi i Edi Ramës rrezikon jetë, kështu që asnjë padi, kërcënim apo shantazh nuk do të na largojë ne nga misioni për të thënë të vërtetën. Vetëm ditët e fundit janë dy raste flagrante të denoncuara nga opozita dhe që, për fat të keq rezultuan të vërteta. Është denoncimi i ish kryeministrit Sali Berisha për të moshuarën nga Durrësi që ndërroi jetë, e infektuar me koronavirus, por pa u trajtuar sipas protokollit. Është denoncimi i Partisë Demokratike për shpërndarjen nga qeveria të 1.2 milionë maskave të skaduara për personelin shëndetësor. Mjaftojnë vetëm këto dy raste për të kuptuar shkallën e lartë  të papërgjegjshmërisë së këtij kryeministri, që deri para pak ditësh siguronte shqiptarët se nuk ishin të rrezikuar dhe se ky ishte thjesht një grip.’ – thuhet në deklaratën e selisë blu.

Deklarata e PD-së vijon duke theksuar se qeveria nuk mori në kohë asnjë masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit duke shtuar se vetëm pas denoncimeve të PD-së, qeveria ishte vënë në lëvizje.

‘E vërteta është se qeveria nuk mori në kohë asnjë masë parandaluese ndaj përhapjes së virusit të rrezikshëm. Deklaratat e Edi Ramës dhe të Ministres së Shëndetësisë se kishin marrë masa, u provuan me fakte se ishin të gënjeshtra. Vetëm pas denoncimit tonë të datës 25 dhe 26 Shkurt se në asnjë prej qendrave shëndetësore dhe spitalet në vend, nuk kishin dërguar mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor Edi Rama dhe Ogerta Manastirliu në datën 28 Shkurt njoftuan se kishin shpërndarë mjetet mbrojtëse në gjithë Shqipërinë. U provuam me fakte, se fatkeqësisht këto mjete mbrojtëse ishin të skaduara dhe nuk ofronin asnjë mbrojtje për personelin shëndetësor, të cilët janë të rrezikur nga kontakti i përditshëm dhe i lartë më qytetarët.’ – vijon deklarata.

PD akuzon qeverinë për faktin se nuk e ka tërhequr ende sasinë e maskave të skaduara, nuk ka shtuar fondin, vonoi me dy javë bllokimin e veprimtarive në vend si dhe nuk ka marrë asnjë masë për vetëkarantimin e personave të ardhur nga Italia.

‘E vërteta është se qeveria, edhe sot që flasim nuk ka tërhequr sasinë e maskave të skaduara të shpërndara për personelin mjekësor. Akoma shumica e mjekëve dhe e stafit shëndetësor, që përballen me qindra njerëz në ditë, punojnë të pambrojtur. E vërteta është se qeveria nuk ka vënë në dispozicion fondet e nevojshme për përballimin e situtës. 3.5 milionë dollarë janë të asgjë para përmasave në rritje të krizës. Ky fond nuk mjafton as për të furnizuar me dizifektant qendrat shëndetësore dhe spitalet në të gjithë vendin. Qeveria vonoi me dy javë vendimmarrjen për të mbyllur aktivitetin në ambiente që ka prezencë shumë të madhe të njerëzve, duke u kthyer në potencial të madh rreziku për përhapjen e virusit. Qeveria nuk mori asnjë masë për të siguruar që personat e ardhur nga Italia të vetëkarantinoheshin për një periudhë 14 ditore, siç kërkon protokolli i sigurisë për mos përhapjen e virusit. Në këtë moment që flasim, aktiviteti i bizneseve që kanë prezencë të madhe njerëzish në një ambient të mbyllur, si biznesi fason apo call center, vijojnë punën dhe nuk janë urdhëruar për mbyllje.

Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të lehtësuar nga taksat, tarifat dhe sigurimet shoqërore/shëndetësore, bizneset që janë urdhëruar të ndërpresin aktivitetin e tyre. Qeveria nuk ka marrë masa për të mundësuar funksionimin normal të linjës së urgjencës 127, e cila ka vështirësi për aksesim për shkak të fluksit. Edi Rama nuk mund ta fusë dot në karantinë të vërtetën dhe opozitën. Nuk ka kallëzim apo padi që mund të ndalë Partinë Demokratike të ngrejë zërin për sigurinë e qytetarëve.’ – mbyllet deklarata e PD-së.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *