Vendosni fjalën kyçe....

“Me Henri Çilin s’kam pasur prej shumë kohësh asnjë komunikim, prokuroria të sqarojë opinionin publik” – Sqaron Sadushi


Pas deklaratave të Partisë Demokratike, që i kërkonte Sokol Sadushit të thyente heshtjen lidhur me dosjen Çili, ka ardhur reagimi i tij.

‘Në mungesë të zbulimit të emrit nga policia dhe prokuroria, që vazhdojnë të punojnë me dy standarde, Sokol Sadushi duhet t’i japë fund heshtjes dhe të japë shpjegime publike për pozicionin e tij. Sokol Sadushi, i cili udhëhoqi reformën në drejtësi si ekspert i lartë, është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, një organ i lartë i sistemit të drejtësisë. Si kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i tij pritet të ndodhë në mars, kohë në të cilën, sipas prokurorisë, drejtuesi i lartë i organit të drejtësisë do të kryente takimin e rradhës për favorin e paligjshëm. Është koha që Sokol Sadushi të flasë! Heshtja nuk e ndihmon dot gjatë! ‘ thuhetj në deklaratën e PD-së.

Në një deklaratë për mediat, ai thotë se përmendja e emrit të tij ditët e fundit ka si qëllim dëmtimin e personalitetit të tij.

‘Duke marrë shkas nga përmendja e emrit tim në deklarime politike të bëra këto ditë nëpërmjet medias, ndihem i obliguar të informoj opinionin publik dhe mediatik se:

Çdo pyetje retorike e shtruar këto ditë, nëpërmjet deklarimeve politike, mediatike dhe që vë në dyshim integritetin moral e profesional, duket se ka për qëllim të dëmtojë personalitetin tim, pikërisht në këtë moment që lidhet me procedurën e nisur për kandidimin si gjyqtar i Kolegjit Administrativ në Gjykatën e Lartë.’ – shkruan ai.

Sadushi thekson më tej se me Henri Çilin nuk ka pasur prej shumë kohësh asnjë lloj komunikimi, ndërsa i bën thirrje prokurorisë që të sqarojë opinionin publik  lidhur me çështjen në fjalë.

‘Deklaroj me përgjegjësinë time të plotë se, me Z. Henri Çili prej shumë kohësh nuk kam pasur asnjë komunikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, në ambiente publike apo private, për asnjë çështje, përfshirë ato që implikojnë personalitetin tim dhe, për më tepër, që lidhen me çështje gjyqësore penale.

Çdo deklarim i bërë ndaj personit tim mbi këtë ngjarje nuk përputhet me të vërtetën, sikurse jam i bindur se do të rezultojë në përfundim të procesit penal. Në rrethana të tilla, kur çështja dukshëm është me interes publik, sugjeroj se nëse është i vërtetë fakti mbi takimin e realizuar me “një funksionar të lartë të drejtësisë“, do të ishte me vend që organi i prokurorisë të sqarojë opinionin publik mbi detajet e këtij takimi. Informimi i opinionit publik i shërben, gjithashtu, ruajtjes dhe forcimit të autoritetit të pushtetit gjyqësor dhe forcon klimën e besimit në organet që ushtrojnë ndjekjen penale.’ – mbyllet deklarata e Sadushit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *