Vendosni fjalën kyçe....

Frika nga koronavirusi – Rumania vendos në karantinë ata që vijnë nga Italia, Austria bllokon linjën hekurudhore për disa orë


Pasi Italia shënoi viktimën e tretë dhe mbi 150 njerëz të infektuar, Europa ka nisur të frikësohet. Në veçanti Rumania e cila siç shkruan Tg24, ka vendosur të vërë në karantinë të detyrueshme për 14 ditë, të gjithë ata që vijnë nga zonat e prekura në rajonet Lombardi dhe Veneto, apo kanë kaluar në këto zona.

Ndërkohë Austria ka vendosur bllokimin e lidhjeve hekurudhore me Italinë për disa orë pas lajmit për dy raste të dyshuara në tren. Fatmirësisht dy personat rezultuan negativë ndaj koronavirusit dhe rinisi qarkullimi me tren. Mirëpo këtë të hënë, qeveria austriake do të zhvillojë një mbledhje për të vendosur nëse do të vendosë kontrollet kufitare me Italinë.

Franca nuk ka në plan të mbyllë kufijtë. Mbyllja e kufirit me Italinë për shkak të koronavirusit “nuk do të kishte kuptim”, sipas ministrit francez të Shëndetësisë, Olivier Vèran.

“Nuk do të kishte kuptim sepse një virus nuk ndalet në kufi”- tha ai, duke shtuar se ai kishte folur me kolegët e tij italianë dhe gjermanë dhe kishte rënë dakord për një takim “me siguri në javën e ardhshme.”

Sa i përket transportit, “Air France normalisht kryen të gjitha fluturimet e saj drejt dhe nga Italia”.

Rumania ka vendosur karantinë për të gjithë ata që vijnë nga Lombardia dhe Veneto, për shkak të fluksit të madh të njerëzve midis dy vendeve. Përmes një postimi në Facebook, ministria te shëndetësisë tha se “të gjitha rastet e dyshuara do të raportohen menjëherë pranë departamenteve të shëndetit publik”.

Ishulli Ischia – prefekti i Napolit vendosi ndalimin e zbarkimit për banorët e Lombardisë dhe Venetos, për shtetasit kinezë nga zonat e epidemisë dhe për ata që kanë qëndruar atje në 14 ditët e fundit. Urdhri ishte nënshkruar nga kryetarët e gjashtë bashkive të ishullit në brigjet e Napolit.

“Unë nuk mendoj se ishte një ide e mirë”– tha komisari i jashtëzakonshëm, Angelo Borrelli duke komentuar vendimin.  Dhe në fakt më pas erdhi vendimi i prefektit të Napolit, Marco Valentini, i cili e anuloi vendimin.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *