Gjermania i ka dhuruar Shqipërisë 11 milionë euro për rindërtimin e banesave, shkollave e kopshteve pas tërmetit të 26 nëntorit.
Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, në Konferencën e Donatorëve në Bruksel. Njoftimi është bërë nga faqja e ambasadës gjermane në Facebook.
‘Gjermania angazhon 11 milionë euro për rindërtimin. Ministri i Jashtëm Federal Heiko Maas deklaroi sot në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit 2019:
Tërmeti i rëndë i nëntorit, që goditi Shqipërinë, mori 51 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme serioze. Gjermania ofroi menjëherë ndihmën e saj nëpërmjet ekspertëve të Agjencisë të Asistencës Teknike. Por tani bëhet fjalë për rindërtimin. Qytetarët në zonat e prekura kanë nevojë për banesa, shkolla dhe kopshte. Gjermania vë në dispozicion për këtë 11 milionë euro. Është një dëshmi e fortë e solidaritetit të BE-së me Shqipërinë fakti që Komisioni Evropian po koordinon asistencën ndërkombëtare të emergjencës dhe ka thirrur për këtë qëllim konferencën e sotme të donatorëve.’