Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja me armë në Shkodër, Voltana Ademi ka një thirrje për ministrin Lleshaj dhe Ardi Veliun


Pas përplasjes me armë që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Shkodër, kryetarja e bashkisë së këtij qyteti ka reaguar shumë e shqetësuar.

Voltana Ademi i bën thirrje ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, që të zbardhin sa më shpejt ngjarjen dhe të vënë autorët përpara drejtësisë.

“Shumë e shqetësuar për ngjarjet e rënda që kanë tronditur rendin publik në qytetin e Shkodrës!

Në qendër të Shkodrës, në Pedonalen tonë, aty ku ne lëvizim në çdo moment të ditës, krimi godet! Një person i pafajshëm plagoset, thjesht duke qenë kalimtarë.

Pak orë më pas, në një lagje tjetër të Shkodrës, një shpërthim eksplozivi ka ngjallur ankth tek qytetarët!

I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtuesve vendorë të Policisë, të zbardhin një orë e më parë këto ngjarje kriminale dhe të vënë para përgjegjësisë autorët.

Mbështetja ime personale, por edhe e strukturave të Bashkisë Shkodër nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë. Secili duhet të marrë përgjegjësitë ligjore që i takojnë!

Shkodra, shkodranët, kanë nevojë për rend dhe siguri në rrugët ku ata lëvizin dhe sidomos, në shtëpitë e tyre. Është detyra e strukturave të shtetit t’ua garantojë këtë.”- shkruan Ademi.

Mbrëmjen e kaluar, një përplasje me armë u bë shkak që të plagosej një grua 35-vjeçare e cila nuk kishte lidhje me ngjarjen por thjesht ndodhej në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.

Pak orë më vonë, dy shpërthime të njëpasnjëshme me tritol ndodhën po në Shkodër në banesën e ish- basketbollistit të Vllaznisë, Nikolin Arra. Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati të lënduar, pasi familja Arra prej kohësh është vendosur në SHBA e Irlandë. Por shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa pati dëmtime dhe në banesën e fqinjit.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *