Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshje e dështuar për “Supersport”, Vjollca Hoxha rrëzohet nga froni i “Digitalb”


Një Marrëveshje e dështuar për blerjen e kompanisë “Supersport” ka rrëzuar Vjollca Hoxhën, vejushën e themeluesit të Top Channel, Dritan Hoxha, nga froni i drejtimit të kompanisë “Digitalb”.

Vjollca Hoxha dhe fëmijët e saj, të cilët bashkërisht zotëronin mbi 50% të aksioneve të “Digitalb”, kanë refuzuar që të përmbushin detyrimet e tyre, të parashikuara në një kontratë paraprake të vitit 2010, për blerjen e platformës “Supersport”.

E, për këtë arsye, pas kalimit pa sukses të afatit 10-vjeçar të parashikuar në kontratë për kalimin e pronësisë së “Supersport” tek “Digitalb”, aksionerët e platformës televizive sportive, kanë kërkuar marrjen e garancisë së vendosur që në vitin 2010, në rast se marrëveshja dështonte.

Kjo marrëveshje është amenduar në Dhjetor 2015, por, gjithsesi, kushtet ndërmjet palëve sa i përket pagesës së garancisë, kanë mbetur thuajse të njëjta.

Vjollca Hoxha refuzon pagesën e “borxhit”

Në fund të vitit 2019, në përfundim të afatit 10-vjeçar të kontratës së shitje me kusht, aksionerët e “Digitalb” nuk arritën të blinin “Supersport”. Për këtë arsye, aksionerët e “Supersport”, në përmbushje të detyrimeve paraprake, kanë kërkuar që të marrin vlerën e garancisë së parashikuar në kontratën fillestare të vitit 2010, e rikonfirmuar me kontratën e 18 Dhjetorit 2015.

Një pjesë e aksionerëve të “Digitalb” kanë paguar, në vlerë monetare, shumën e garancisë për aksionerët e ‘Supersport”. Por, aksionerët kryesorë të “Digitalb”, Vjollca Hoxha dhe fëmijët e saj, Itan Hoxha dhe ‘Loresa”, kompani në të cilën janë aksionerë familjarët Hoxha, kanë refuzuar të kryejnë pagesën e garancisë.

Për këtë arsye, aksionerët e ‘Digitalb” kanë kërkuar nga gjykata që të detyrojë familjen Hoxha, në cilësinë e aksionerit kryesor të “Digitalb”, që të shpërblejë, në natyrë, detyrimin financiar që Vjollca Hoxha dhe familjarët e saj i detyrohen pronarëve të “Supersport”.

Gjykata e Tiranës, me vendimin 1427, dt. 20 Janar 2020, ka vendosur sekuestrim e 1.6% të aksioneve të Itan Hoxha, 6% të aksioneve të Redia Hoxha dhe 0.63% të aksioneve të kompanisë së familjes Hoxha, “Loresa”, shuma e të cilave është ekuivalenti i vlerës monetare që ata, në cilësinë e aksionerëve të “Digitalb”, i detyrohen pronarëve të kompanisë “Supersport”.

Rrëzimi nga froni i “Digitalb”

Në bazë të vendimit të gjykatës, Përmbaruesi Gjyqësor ka vendosur sekuestrimin e pjesëve të aksioneve të familjes Hoxha.

Sipas Urdhërit të Përmbarimit, Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR) ka vendosur sekuestrimin e një totali prej 8.2% të aksioneve të familjes Hoxha në “Digitalb” për llogari të “Aiba Kompani”, Alba Gina dhe Agim Zeqo, në cilësinë e aksionerëve të “Supersport”.

Në bazë të këtij Urdhëri, kuotat e Vjollca Hoxhës dhe fëmijëve të saj në paketën ‘Digitalb” ulet në rreth 43%, duke humbur në këtë mënyrë primatin në kompaninë kryesore të prodhimeve dixhitale shqiptare.

Marrëveshja e dështuar
Në vitin 2010, aksionerët e “Supersport” bien dakord që të shesin aksionet e tyre tek kompania “Digitalb”. Sipas kushteve të marrëveshjes, vlera e shitjes ishte 20 milionë euro dhe do të paguhej nga të gjithë aksionerët e “Digitalb” në mënyrë solidare, në vlera sipas përqindjes së pjesëmarrjes që ata kishin në kompani.

Marrëveshja parashikonte që shitja të kryej me këste, për një afat 10-vjeçar. Në rast se, në përfundim të afatit, nuk do të realizohej shitja, atëherë blerësit, pra aksionerët e ‘Digitalb”, do t’u paguanin aksionerëve të “Supersport” një vlerë prej 36.8 milionë lekë të reja, të cilat konvertoheshin në 16% të aksioneve të platformës dixhitale.

Në përfundim të afatit 10-vjeçar, “Digitalb” nuk arriti të finalizonte shitjen e ‘Supersport”. E, për këtë arsye, aksionerët e “Supersport” morën nga aksionerët e “Digitalb” vlerën monetare që i takonte në mënyrë proporcionale gjithësecilit, përveçse në rastin e familjes Hoxha, të cilëve iu sekuestruan rreth 8% të aksioneve, pas refuzimit për pagesën e shumës në para.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BoldNews.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *