Vendosni fjalën kyçe....

Dosja e 613 kilogramëve kokainë, Çekaj akuza prokurorit: Nëse SPAK-u s’ka punonjës, ta huazojnë si në Champions League


I akuzuari për 613 kilogramët e kokainës që u kapën në Durrës, Arbër Çekaj, ka hedhur akuza në drejtim të prokurorit të çështjes, Edvin Kondili.

Çekaj tha se prokurori ka manipuluar provat dhe ka përhapur lajme se Çekaj ka nxjerrë emra bashkëpunëtorësh duke i rrezikuar jetën e familjarëve.

‘Prokurori ka manipuluar provat dhe ka përhapur lajme që unë kam nxjerrë emra bashkëpunëtorësh, duke vënë kështu në rrezik jetën e familjarëve të mi. Unë nuk do ta bëja këtë për familjen e prokurorit, pasi nuk dëshiroj cënimin e tij apo familjarëve të tij’, tha Çekaj.

Më tej ai shtoi se Kondili e kishte kaluar vettingun në kurrizin e tij dhe se e ka personale çështjen që po heton.

‘Ky prokuror kaloi vettingun në kurrizin tim dhe u bë pjesë e SPAK. E ka personale me mua dhe familjen time. Unë nuk mund të vazhdoj me të. Nëse SPAK nuk ka një prokuror në këtë vend, të bëhet si Champions League, të merret nga Serbia, meqë tani kemi marrëdhënie të mira. Nuk e di çfarë keni me familjen Kuliçaj. Do vijë dhe e drejta ime, në rrugë ligjore, normalisht’, shtoi Arbër Çekaj.

Prokurori Kondili i hodhi poshtë pretendimet e Çekajt duke thënë se ato ishin të pavëteta.

‘Nuk njoh asnjë mbiemër dhe nuk kam asgjë personale. Sa për kërcënimet, nuk më frikësojne dhe as nuk ia këshilloj të pandehurit.’ – tha Kondili gjatë seancës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *