Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtare, Senati Amerikan konfirmon Yuri Kim si ambasadoren e re në vendin tonë


Senati amerikan ka bërë të enjten zyrtare emërimin e Yuri Kim si ambasadorja e re e SHBA-ve në Shqipëri.

Në nëntor Yuri Kim u aprovua nga Komisioni i Jashtëm i Senatit, para të cilit deklaroi se se do të inkurajonte Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Por për t’u bërë zyrtar, emërimi i saj duhej të miratohej nga Senati.

Ajo ka qenë oficere e shërbimit të jashtëm të Departamentit të Shtetit për më shumë se 20 vjet dhe së fundmi ka shërbyer edhe si drejtore e zyrës së çështjeve të Evropës Jugore.

Por le ta njohim më tepër Yuri Kim. Kim lindi në Kore por u transferua me familjarët e saj në territorin e Guamit kur ishte vetëm 3 vjeç, në vitin 1974.

Ajo u rrit në ishullin që ndodhet në Mikronezi, në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor dhe është diplomuar në Akademinë e Zojës së Guamit.

Karriera e pasur e ambasadores

Kim është anëtare në karrierë e Shërbimit të Lartë të Jashtëm si këshilltare dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtoreshë e Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore. Sipas një përmbledhje të karrierës së saj të publikuar në Universitetin e Guamit, në ishullin Mangilao në Paqësor nën varësinë e SHBA-ve, ka punuar në sfidat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare nëpër rajone të shumta, duke përfshirë Kinën, Korenë e Veriut, Turqinë, Irakun dhe shërbimet për NATO-n.

 Yuri Kim ka qenë Drejtore e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Shtabit për Zëvendës Sekretarin e Shtetit (2015-2017) dhe Drejtoreshë e Zyrës së Sigurisë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Shtëpia e Bardhë, Kim ka shërbyer gjithashtu si Ndihmëse Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe si anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në Bisedimet me Gjashtë Palët për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Ajo ka mbajtur rolin e Këshilltares Politike në Ankara në vitet 2011-2014, ku ishte përgjegjëse për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, NATO-s dhe rajonal me Turqinë, veçanërisht në lidhje me zhvillimet në Siri, Irak dhe Iran.

Ajo ka shërbyer gjithashtu në Seul, Tokio dhe Pekin dhe në Sekretariatin Ekzekutiv në mbështetje të sekretarit Colin Powell.

Zonja Kim mban një diplomë Bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit. Ajo flet katër gjuhë përveç anglishtes, atë Koreane, Kineze (Mandarine), Japonisht dhe Turqisht.

Çfarë thotë Kim për Shqipërinë

Të martën e 29 tetorit, Senati Amerikan mbajti një seancë dëgjimi për konfirmimin e Yuri Kim. Në dëshminë e saj, Kim tha: “është një nder i veçantë të paraqitet para jush sot si e nominuara e Presidentit Trump për të qenë ambasadorja jonë e rradhës në Shqipëri. Nëse konfirmohem, unë do të isha gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqësoja kombin tonë të madh si ambasadore. Unë gjithashtu do të isha ambasadorja jonë e parë nga territori amerikan i Guam.”

Gjatë seancës dëgjimore, Kim tha se do të punojë për të ndihmuar në forcimin e institucioneve të brendshme si edhe për të mbajtur larg influencat ruse në Shqipëri, ndërsa u shpreh se do ketë kujdes edhe disa rrymave të influencës kineze. 

Ajo u zotua të punojë ngushtë me shqiptarët në luftën kundër krimit e korrupsionit.

“Dua të ndihmoj shqiptarët të forcojnë institucionet e tyre që të kenë më shumë rezistencë ndaj përpjekjeve ruse për të ndërhyrë në punët e brendshme, por edhe atyre kineze. Edhe kinezët po përpiqen që të ndërhyjnë në ekonominë e Shqipërisë.

Së dyti, mendoj se do të punoj ngushtë me shqiptarët si aleat të NATO-s, që të japë 2 përqindëshin e saj. Po ashtu, do të promovoj investimet amerikane në Shqipëri. Këtu do të fokusohem, në rast se konfirmohem”, deklaroi Yuri Kim.

 Të mërkurën në mëngjes, Kim tha se ajo “nuk do të kishte qenë e gatshme të arrinte deri këtu” pa e kuptuar se “nga vjen”.

Ajo e cilësoi Shqipërinë si një vend të mahnitshëm dhe mike të fortë të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë seancës së saj të konfirmimit në Senat, Kim u shoqërua nga anëtarët e familjes së saj dhe ish shokët e shkollës nga Akademia, shkruan PNC.

 

Përgjime ndaj ambasadores në Turqi?

Emri i Yuri Kim-it është lakuar në çështjen e përgjimeve në Turqi, në padinë e Gezit, kundër 16 qytetarëve turq që morën pjesë në protesta në vitin 2013 kundër Erdoganit.

“Ahvalnews.com”, medie turke në një shkrim të detajuar shkruan se prokurorët kishin përfshirë në kallëzim edhe të dhënat telefonike mes një individi të quajtur Yuri Kim, drejtoresha aktuale që shërbente në Zyrën e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Punët e Europës Jugore, e cila mbulonte edhe Turqinë.

“Bisedat telefonike të përfshira në aktakuzë janë midis një personi të identifikuar si Yuri në ambasadën e SHBA dhe Osman Kavala, një biznesmen i akuzuar për përpjekjen për të përmbysur qeverinë turke duke organizuar protestat e Parkut Gezi.

Kim në atë kohë ishte duke shërbyer si këshilltare politike në ambasadën e SHBA-ve në Ankara.

Sipas medieve turke në këto biseda, Kim këshillon Kavalën të kërkojë nga shokë gazetarë që ai i njeh në Uashington DC për të krijuar protesta gjatë konferencës për shtyp të Departamentit të Shtetit.

Prokurorët turq që përdorin një zyrtar në shërbim të një aleati, si dëshmi kundër Kavallës, mund të çojnë në një rritje të tensioneve. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë tashmë të krisura nga një sërë mosmarrëveshjesh, përfshirë blerjen e planifikuar të Turqisë për sistemet e mbrojtjes raketore S-400, për të cilat një zëdhënës i Pentagonit tha më parë gjatë javës se mund të çojë në “pasoja të rënda”.”, shkruan më tej media online turke.

Pas mbarimit të mandatit në misionin diplomatik në Shqipëri të Donald Lu-së si ambasador dhe largimit të tij në drejtim të Kirgistanit, administrata Trump propozoi emrin e Katheelin Kavalec, e cila nuk u votua nga Senati. Që prej largimit të Lu-së, ambasada amerikane në Tiranë drejtohej nga e komanduara me punë Leyla Moses-Ones dhe janë dashur disa muaj deri në kristalizimin e idesë për caktimin e emrit të Kimit./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *