Vendosni fjalën kyçe....

“Kur pashë projektorët, sikur m’u rikthye jeta” – Flet i mbijetuari në Durrës


Një i mbijetuar nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin ka rrëfyer përvojën e tij pas nxjerrjes shëndoshë e mirë nga rrënojat e pallatit 5 katësh në Durrës.

Fatmir Gjana ka treguar në një rrëfim për A2, se kur ka parë projektorët i është rikthyer shpresa se mund t’ia dilte.

‘Në momenti që ka rënë tërmeti isha në derën e dhomës. Aty humba çdo gjë, nuk lëvizja dot as këmbët as gjunjët.  Kisha rrënojat tre gishta larg fytyrës, por i vetëdijshëm gjithë kohës, deri sa kam komunikuar me zjarrfikësin dhe më pyetën si e kisha emrin. Ishte shumë e vështirë, se kati i dytë i joni ishte zhytur në tokë. Kanë hapur një tunel me ekskavator, e pashë në video sot’. – rrëfen Gjana.

Ai ka falenderuar punonjësit që e nxorrën nga rrënojat ndërsa shprehet se ka ende shpresë se bashkëshortja e tij që gjendet nën rrënoja mund të jetë gjallë.

‘Personi që më shpëtoi ishte një hero. Hyri në galeri deri tek unë, doli jashtë të marrë oksigjen, u kthye prapë të gërmonte. Kur pashë projektorët, sikur më erdhi sërish jeta. Kur ra tërmeti, ajo shkoi nga dera kryesore, unë te dera e dhomës. Aty gjithçka mori fund dhe nuk di gjë për të.  Vazhdojnë kërkimet, por shpresat janë të pakta, nuk besoj’, shton ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *