Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërkon që Izraeli të financojë forcat palestineze të sigurisë


Presidenti amerikan, Donald Trump ka refuzuar një kërkesë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të lejuar që ndihmat amerikane t’u transferohen forcave palestineze të sigurisë dhe u ka thënë ndihmësve muaj më parë se Netanyahu duhet të paguante këto ndihma.

Faqja web e lajmeve Axios shkruan se Departamenti amerikan i Shtetit para gjashtë muajsh zbuloi se ndihmat në vlerë prej 12 milionë dollarëve për forcat palestineze të sigurisë nuk janë ndërprerë si pjesë e ndalesës graduale të administratës së Trumpit për të gjitha fondet për palestinezët, por as nuk janë transferuar.

Departamenti zbuloi situatën pasi ambasadori izraelit në SHBA, Ron Dermer dhe zyrtarë të tjerë izraelitë u thanë homologëve të tyre amerikanë se ata dëshirojnë që fondet të transferohen për të ndihmuar forcat palestineze të sigurisë, të cilat punojnë me izraelitët në Bregun Perëndimor.

Nga Departamenti thonë se në përputhje me politikën e Trumpit për të shkurtuar fondet e tilla, vendimi duhet të qartësohej nga ai. Sipas Axios, Trump nuk ishte i bindur.

“Nëse është e rëndësishme për Netanyahun, ai duhet t’u paguajë palestinezëve ndihma prej 12 milionë dollarë”, u tha Trump ndihmësve ndërsa paratë asnjëherë nuk u transferuan.

Administrata e presidentit Trump gradualisht ka ndërprerë të gjitha fondet për palestinezët gjatë dy vitet e fundit, dhe bëhet e ditur se Netanyahu ka luajtur rol kyç për të nxitur Trumpin që të veprojë në këtë mënyrë.

Administrata e Netanyahut i ka kërkuar Trumpit që të ndërpresë ndihmat në kuadër të Agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *