Vendosni fjalën kyçe....

“Palët të ulen sa me shpejt në dialog pa kushte për kapërcimin e krizës” – Kryeministri italian, Conte


Pas takimit, kryeministri shqiptar, Rama dhe ai italian, Conte, kanë dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kreu i qeverisë italiane deklaroi në fjalën e tij se mazhoranca duhet t’i propozojë opozitës një platformë për zgjidhjen e krizës. Conte u bëri thirrje palëve që të ulen në një dialog pa kushte.

“Me kryeministrin Rama diskutuam realizimin e reformave dhe integrimin e vendit në BE. Dy vendet do kenë një bashkëpunim më të thelluar në luftën ndaj kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme. Shqipëria duhet të tregojë se e ka aftësinë për zgjidhjen e krizës politike. Është e rëndësishme që mazhoranca t’i propozojë opozitës një platformë për zgjidhjen e krizës dhe dialogu të zhvillohet më tej pa kushte”, tha ndër të tjera Conte.

Rama nga ana e tij deklaroi se bashkëpunimi mes dy vendeve është i shkëlqyer dhe se ai do thellohet edhe më tej.

Ndërsa theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë çeljen e negociatave.

“Jemi këtu për të dëshmuar një miqësi tradicionale dhe njëkohësisht për të shprehur vullnet të thelluar bashkëpunimi të shkëlqyer mes dy vendeve, ku pa diskutim ka shumë për të bërë akoma më tepër. Pa diskutim që vizita e kryeministrit italian në Tiranë sot është në kuadrin e një datë të rëndësishme për Europën dhe Shqipërinë, ku ndër të tjera do diskutohet edhe vendimi për çeljen e negociatave me Tiranën. Prandaj dua të falënderoj kryeministrin Conte dhe qeverinë italiane që nuk janë lëkundur për asnjë moment në mbështetje të Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe gjithë këtij rajoni në perspektivën për t’u anëtarësuar në BE. Shqipëria dhe Maqedonia e veriut meritojnë hapjen e negociatave. Ne nuk jemi në këtë proces se na e kërkon BE, por se atë e kërkon e ardhmja dhe se po luftojmë për një Shqipëri europiane, për shtet të së drejtës dhe demokraci të zhvilluar.” – theksoi Rama në fjalën e tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *