Vendosni fjalën kyçe....

Shoqërohen në polici dy gazetarë, pas lajmit të rremë për një tjetër tërmet të fuqishëm


Policia ka shoqëruar dy gazetarë në polici, pas lajmit të rremë se një tërmet i fuqishëm parashikohej të binte në orën 23:30 të 22 shtatorit.

Në njoftimin e policisë, thuhet se gazetarët e shoqëruar janë njëri nga Syri.net dhe tjetri nga gazeta Shekulli.

“Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit “SYRI.net”, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët.”, njofton policia.

Më tej, Policia e Shtetit thotë se ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të publikimit të këtij lajmi që krijoi frikë e panik tek qytetarët.

Për shkak të frikës nga tërmeti, mijëra qytetarë në Tiranë dolën jashtë banesave në panik pas lajmeve se para mesnatës pritej një tjetër tërmet i fuqishëm.

Trafik i rënduar ka qenë në rrugën Tiranë-Elbasan ku qindra mjete janë në rrugë. E njëjta situatë është vërejtur edhe në zonën e Bulevardit të Ri, ku qindra makina kanë parkuar duke qenë se është nga të paktat zona në Tiranë ku nuk ka pallate pranë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *