Vendosni fjalën kyçe....

Basha për ftesën e OSBE-së: Zgjidhja e krizës kërkon shumë më shumë se një tryezë


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është përgjigjur lidhur me ftesën e OSBE-së për një tryezë të përbashkët të partive politike.

Në një prononcim të shkurtër, pas aktivitetit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Basha tha se nuk mjafton një tryezë për të zgjidhur krizën politike.

“Po t’i shikojmë ftesat se ftesat bëhen javë për javë. Do t’i shikojmë, do t’i vlerësojmë, zgjidhja e krizës politike është prioriteti ynë. Natyrisht jemi të angazhuar edhe për reformën Zgjedhore. Por, askush të mos ketë iluzione se zgjidhja e krizës politike kërkon shumë më shumë se sa një tryezë tjetër.”, theksoi kryedemokrati.

OSBE thirri sot një tryezë të përbashkët me të gjitha partitë politike në Shqipëri, në një kohë kur vendi është përfshirë nga kriza politike. Tryeza është parashikuar që të mbahet në datën 25 Shtator dhe të ftuar janë parti parlamentare dhe jashtëparlamentare.

Tema që bashkon këtë tryezë të thirrur nga OSBE është Reforma zgjedhore, një nga kërkesat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve në vendin tonë dhe që kërkon angazhimin e të gjitha forcave politike.