Vendosni fjalën kyçe....

Kandidate për në Gjykatën Kushtetuese, KED rrëzon Zhaklina Peton


Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka hedhur poshtë kandidaturën e Zhaklina Petos për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Gjyqtarja Zhaklina Peto fitoi të drejtën në gjykatë që të vlerësohej si kandidate për Gjykatën Kushtetuese, ndërsa vendimi për rrëzimin e kandidaturës së saj u mor në mbledhjen e kësaj të hëne.

Njoftimi i plotë:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 09.09.2019, zhvilloi mbledhjen e radhës me këtë rend dite :
1. Shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit të kandidates Zhaklina Peto për kandidimin e saj për dy vende vakante për Gjykatën Kushtetuese.
2. Diskutimi dhe vendimmarrja mbi ecurinë e deritanishme të procedurës së verifikimit dhe vlerësimit në lidhje me vendin vakant për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, shpallur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Në përfundim të diskutimit të çështjeve të rendit të ditës, Këshilli vendosi :
1. Në lidhje me kërkesën paraprake të kandidates Zhaklina Peto, të paraqitur për pretendimin e saj mbi gjendjen e konfliktit të interesit dhe përjashtimit të të gjithë anëtarëve nga shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit të kandidaturave për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, përpara vijimit të bisedimit të Këshillit mbi gjetjet në procedurën e verifikimit të kësaj kandidateje, Kryetari dhe Zëvendëskryetari i Këshillit, në zbatim të neneve 222-225 të ligjit nr. 115/2016, pasi shqyrtuan motivet përkatëse, vendosën rrëzimin e kërkesës për përjashtimin e secilit anëtar të Këshillit nga procedurat e verifikimit të kandidatuarave të kandidates Zhaklina Peto, si të pambështetur në ligj.
2. Në vijim, pas bisedimit të gjetjeve në procedurën e verifikimit, Këshilli vendosi :
a) Ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatës Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018;
b) Ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatës Kushtetuese, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018.
3. Gjithashtu, pas shqyrtimit të gjendjes lidhur me ecurinë e procedurës së verifikimit të kandidaturave për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke konstatuar se janë 4 kandidatë të lejuar për kandidim, në zbatim të nenit 147/d të Kushtetutës dhe nenit 201 të ligjit nr. 115/2016, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi:
a) Pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
b) Shpalljen e procedurës së thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Paraqitja e interesit për kandidim, së bashku me dokumentacionin shoqërues, depozitohet në zyrën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pranë Gjykatës së Lartë, deri në datën 20 Shtator 2019.
Teksti i shpalljes së thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, gjendet në në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, pjesa për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, në zërin K.E.D “Vende Vakante”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *