Vendosni fjalën kyçe....

Daily Mail: Festat e çmendura të shqiptarëve në burgjet angleze, video live në ‘Facebook’ dhe 70 mijë ndjekës


Tabloidi britanik “Daily Mail”, i ka kushtuar një tjetër shkrim të dënuarve shqiptarë në burgjet angleze, të cilët përdorin lirshëm celularët e tyre brenda qelive dhe komunikojnë me botën jashtë hekurave, sikur të ishin në liri të plotë.

“Zotërit e krimit janë duke u tallur me qeverinë që shpenzon 100 milionë paund për të rritur sigurinë në burgje”, nis artikulli i “Daily Mail”.

Kriminelët shqiptarë “përdorin celularë dhe bëjnë festa të çmendura në qelitë ku vuajnë dënimin. Të tjerët po kontaktojnë hapur me bashkëpunëtorët që ndodhen jashtë”.

Në shkrim thuhet se pas një hetimi të gazetarëve të “Daily Mail”, u identifikuan të paktën shtatë të burgosur që përdorin celularë dhe janë aktiv në media sociale.

Mes tyre është edhe një baron droge, i dënuar 12 vjet burg, për drejtimin e një bande që trafikonte kokainë dhe kanabis duke përfituar milionat.

Ai përdor një telefon të paligjshëm në qeli, duke publikuar video të drejtpërdrejta me orë të tëra në “Facebook”, të cilat ndiqen nga deri në 70,000 njerëz.

Në një postim të tij të javës së kaluar, shqiptari shkruan “Zjarr në qeli” ndërsa filmon veten dhe të burgosurit e tjerë me celularë në duar, duke kërcyer, qeshur e duke theksuar se këto festa bëhen çdo të shtunë në burg.

Pasi Daily Mail publikoi investigimin, Ministria e Drejtësisë, tha se llogaritë e medieve sociale të përdorura nga shtatë të burgosurit ishin të mbyllura. Telefonat u konfiskuan dhe të burgosurit po përballen me ndëshkime.

Shumë prej tyre kanë postuar në një grup shqiptar në “Facebook” të quajtur “The Best”, që ka më shumë se 70,000 ndjekës.

Trafikanti i kokainës Ndriçim Musaj u burgos për nëntë vjet në gusht të 2016, pasi oficerët i sekuestruan një mitraloz dhe drogë me një vlerë prej 6.4 milion paund. Por muajin e kaluar ai postoi një fotografi të vetes në faqen e tij në Facebook të ulur në një stol në kopshtin e burgut me titullin ‘Ndjehem mirë’, së bashku me një emoji të një fytyre të buzëqeshur.

Ai i tha një reporteri nga Facebook se ishte ‘në burg’ dhe madje me krenari i dërgoi një shkrim gazete për dënimin e tij për trafikun e drogës. I pyetur se sa kushtoi të futej një telefon në burg, ai u përgjigj: ‘1.500 paund’.

“Facebook” nga ana tjetër ka reaguar për rastin, duke thënë: “Kur ne njoftohemi për llogari aktive që përdoren nga burgu, zbatojmë urdhërat ligjorë për t’u ndaluar hyrjen.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *