Vendosni fjalën kyçe....

“Shqiptarët, skllevërit modernë në Britani”, shifrat alarmante detyrojnë ambasadën të marrë masa


Ambasada Britanike në Tiranë ditët e fundit ka bërë thirrje për të bashkëpunuar me organizata të ndryshme, për të trajtuar dhe luftuar skllavërinë moderne në Shqipëri.

“Ambasada Britanike në Tiranë pranon propozime projektesh në kuadër të programit për Skllavërinë Moderne. Aplikimet pranohen deri më dt 6 shtator 2019. Më shumë informacion mund të gjeni në faqen tonë të internetit.”, thuhet në një njoftim.

Ambasada do të organizojë edhe një seancë informimi lidhur me çështjen më 21 Gusht, në Qendrën Rinore në Tiranë.

Kjo përpjekje e ambasadës Britanike vjen si rezultat i shifrave tronditëse të publikuara nga Komisioneri kundër skllavërisë moderne në Britani, i cili thotë se “Mbretëria e Bashkuar është destinacioni, i mijëra viktima që vijnë nga vendet e tjera vetëm për t’u shfrytëzuar nga kriminelët dhe Shqipëria është një ndër vendet kryesore.”

Sipas shifrave të publikuara, vitin e kaluar janë shënuar 6,993 viktima të skllavërisë moderne në Mbretërinë e Bashkuar, një rritje kjo prej 36% nga viti i mëparshëm. Por rritja duket se ka vijuar edhe në 2019.

Viktimat e sklavërisë moderne vijnë nga 130 vende të ndryshme, ku 3 vende kryesojnë Britania e Madhe, Shqipëria dhe Vietnami.

Lloji më i zakonshëm i shfrytëzimit të viktimave të skllavërisë moderne, si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët ishte shfrytëzimi i punës. Mjeshtrit e skllevërve dhe trafikantët e qenieve njerëzore në Mbretërinë e Bashkuar i detyrojnë dhe kontrollojnë viktimat e tyre, duke i mbajtur ata në skllavëri për javë, muaj apo edhe vite. Individët shpesh mashtrohen duke punuar në kushte skllavopronare, dhe më pas kërcënohen për të qëndruar atje.

Viktimat transferohen nga abuzuesi në abuzues dhe ata kanë shumë frikë që të tentojnë arratisjen, duke e bërë skllavërinë një krim të fshehur dhe shumë të ndërlikuar.

Në të dhënat e publikuara nga National Crime Agency (NCA) për periudhën janar-mars 2019, rezulton se 2156 viktima potenciale janë paraqitur te Mekanizmi Kombëtar i Referimit.

Shtetasit shqiptarë, vietnamezë dhe britanikë mbeten akoma të parët në renditje. Shtetasit britanikë mbajnë vendin e parë me 594 viktima të skllavërisë moderne të shënuara për tre mujorin e parë të këtij viti. Shqiptarët vijnë të dytët. Në këtë tremujor kemi 362 shtetas shqiptarë që janë identifikuar në këtë situatë shumë më tepër sesa në tremujorin e fundit të 2018-s (275).

Nga këto, 5 shqiptarë janë viktima të shfrytëzimit në familje, 147 të shfrytëzimit në punë, 189 janë viktima të shfrytëzimit seksual dhe për 21 të tjerë nuk dihet forma e shfrytëzimit të tyre. Shifra vërtet tronditëse këto kur mendohet se kur mendohet se shtetas shqiptarë në Britaninë e Madhe nuk duhet të jenë më shumë se 50 mijë.

Shifrat për shqiptarët që janë viktimë të asaj që quhet si skllavëri moderne në Britani, siç vërehet në tabelën e mësipërme janë më të shumtë në numër sesa ata vietnamezë ku janë shënuar 165 viktima.

Shtetet e tjera që renditen në dhjetëshen e parë, janë Kina, Eritrea, Sudani, India, Rumania, Nigeria, Pakistani.

Duket se kjo situatë e ka detyruar Ambasadën Britanike në Tiranë, të ndërmarrë studime për të parë në terren se pse vendi ynë po prodhon aq shumë skllevër modernë. Nëse numri vijon të jetë i tillë edhe përgjatë vitit, i bie që Shqipëria të prodhojë mbi 1 mijë skllevër modernë vetëm në Britani përgjatë këtij viti. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *