Pas kontrolleve të policisë në Selenicë lidhur me ekzekutimin e Nikola Ikonomit, ka rënë në pranga një 27-vjeçar. Kjo sepse të riut me inicialet S. R iu gjet një armë zjarri automatik me municion luftarak.
Ka qenë qeni i policisë ai qe e ka zbuluar të riun afër malit të Beunit, të fshatit Matogjin. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ka qenë i dënuar më parë për vjedhje me armë në shtetin grek.
“Qarkullonte me kallashnikov, vihet në pranga nga policia.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Selenicë në bashkëpunim me forcat e tjera të Policisë së Vlorës dhe ato të FNSh-së, në vijim të kontrolleve dhe krehjes së zonës duke përdur dhe qenin e gjurmës në lidhje me ngjarjen e Selenicës, kapen në flagrancë shtetasin S. R., 27 vjeç, banues në fshatin Vajzë të Selenicës.
27 vjeçari u kap në kushtet e flagrancës afër malit të Beunit, të fshatit Matogjin i cili mbante me vete një armë zjarri automatik me municion luftarak.
Gjithashtu, nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ka qenë i dënuar më parë për vjedhje me armë në shtetin grek.
Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mbrëmjen e së mërkurës, 47-vjeçari Nikola Ikonomi, i njohur ndryshe edhe si Laver Tozaj, u qëllua me silenciator pranë banesës së tij në Selenicë të Vlorës.