Vendosni fjalën kyçe....

Basha nga Kruja: Zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh


Në një takim në Krujë, kryetari i PD-së Lulzim Basha, tha se zgjedhjet nuk janë një çështje datash por standardesh.

Ai shprehu vendosmërinë e opozitës për t’i shkuar deri në fund betejës për zgjedhje të lira e të ndershme, duke kryer detyrën e parë kryesore, largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e përgjithshme, në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore.

 “Zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh. Dhe beteja për zgjedhje të lira nuk është kauzë partiake, por është betejë e çdo shqiptari. Zgjidhja nuk eshte “ik ti e te vi unë”, por është beteja jetike për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme, Shqipërinë e standardeve europiane”- u shpreh Basha në takimin me strukturat e PD në Krujë.

Nuk dihet nëse me këtë deklaratë Basha deklaron se PD nuk pranon as datën 13 tetor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Ndërkohë që LSI dhe PR kanë dorëzuar në KQZ kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet e 13 tetorit, date e dekretuar nga presidenti Ilir Meta, PD ende s’e ka bërë një gjë të tillë. Dhe afati përfundon sot.

Basha theksoi se “Zgjidhja nis me dënimin e politikanëve të kapur në blerje votash dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar për pushtetin dhe pasurinë e tyre.”

Sipas kryedemokratit, sakrifica e opozitës së bashkuar dhe e qytetarëve që e mbështetën atë u shpërblye në 30 Qershor, me refuzimin e 85 përqind të shqiptarëve për të marrë pjesë në votime farsë.

 “Opozita e Bashkuar e nisi këtë betejë me një akt sakrifice që ishte dorëzimi i mandateve, dorëzimi i imuniteteve, i privilegjeve dhe i karrigeve të pushtetit për t’u rreshtuar në krah të qytetarëve.

Treguam se rruga që nisëm ishte një rrugë sakrifice për interesin publik. Vendimi që morëm ktheu besimin tek njerëzit, se beteja që kemi nisur nuk ishte një betejë për karrike, siç përpiqej ta paraqiste Edi Rama. U rikthye besimi se opozita e bashkuar nuk është pjesë e teatrit të ndyrë politik, ku një grusht njerëzish kanë kapur burimet e shtetit, buxhetin e shtetit, taksat e shtetit, pasuritë e shtetit, në kurriz të të gjitha shqiptarëve të tjerë.”, janë fjalët e Bashës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *