Vendosni fjalën kyçe....

Pesë shqiptarët që garojnë sot për një vend në Parlamentin grek


Në Greqi sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku për herë të parë garojnë edhe shqiptarë, për të përfaqësuar bashkëkombasit e tyre në Parlamentin helen.

Fatos Malaj, Eda Gemi, Jorgos Trihas, Anxhela Filo dhe Kristos Ducis, të cilët jetojnë në vendin fqinj prej vitesh, janë pesë kandidatët shqiptarë që garojnë për një vend në Parlament.

Më favorit për të marrë një mandat janë, Fatos Malaj dhe Eda Gemi, të cilët garojnë në Athinë për partinë KINAL, që në sondazhet e fundit ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme, duke u renditur për herë të parë e treta.

Malaj ka avantazhin të jetë kandidat në zonën A të Athinës, e mbipopulluar historikisht nga emigrantët shqiptarë, ndërsa Eda Gemi në zonën perëndimore të kryeqytetit grek.

Në këto zgjedhje parlamentare në Greqi kanë të drejtë vote mbi 150 000 emigrantë shqiptarë dhe minoritarë grekë, që kanë marrë nënshtetësinë.

FATOS MALAJ 

Fatos Malaj kandidon me partinë KINAL në zonën e parë të Athinës (A Athinon)

U lind në Delvinë dhe emigroi në Greqi në 1997, ku jeton dhe punon. Djalë i një familjeje punëtore, i mbushur ëndrra për një të ardhme më të mirë, punoi fort në Greqi, duke kontribuar në jetën publike greke.

Që në momentin e parë u aktivizua energjikisht për të drejtat e emigrantëve, për integrimin normal të tyre në shoqërinë greke.

Është ndërmjetës ndërkulturor i certifikuar në drejtorinë e shërbimit të emigrantëve në administratën e decentralizuar të Atikës.

Është kryetar i “Arogji – Përkrahja”, një organizatë joqeveritare, me aktivitet të njohur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Është anëtar i departamentit të të drejtave të njeriut dhe politikës së emigracionit në partinë Lëvizja për Ndryshim (KINAL).

EDA GEMI 

Eda Gemi kandidon me partinë KINAL në zonën e dytë të Athinës (Dytiko Tomea B Athinon)

Eksperte e shkencave politike, e specializuar për çështje të qeverisjes, emigracionit dhe politikave të integrimit.

Pasi ka përfunduar studimet në Universitetin Metropolitan të Londrës, Eda Gemi ka marrë masterin për shkenca politike në Universitetin e Athinës. Flet greqisht, anglisht dhe italisht, përveç gjuhës amtare shqipe.

Është lektore dhe studiuese në ISR-Institute for Urban and Regional Research (Vienë); EUI- European University Institute (Firence), dhe Universiteti Europian i Tiranës.

Shqiptarët e njohin Eda Gemin si një aktiviste të shquar, studiuese, pedagoge.

JORGOS TRIHAS 

Jorgos Trihas kandidon me partinë SYRIZA në zonën e dytë të Athinës (B 3 Notiu Tomea Athinon)

Me origjinë nga Saranda, Jorgos Trihas ka kryer fakultetin e infermierisë dhe më pas studimet e larta për menaxhim biznesi.

Ka një veprimtari energjike për integrimin e homogjenëve dhe të riatdhesuarve. Ka shërbyer si këshilltar i posaçëm në Ministrinë e Jashtme. Është anëtar i sekretariatit të SYRIZA-s për homogjenët.

ANXHELA FILO

Anxhela Filo kandidon me partinë Nea Dimokratia në zonën e partë të Selanikut (A Thessalonikis).

U lind e u rrit në qytetin e Korçës. Në vitin 1991 prindërit e saj emigruan në Greqi dhe u vendosën në qytetin e Selanikut.

E diplomuar si Inxhiniere Topografe (1998-2003) ka punuar në sektorin privat dhe sot ka zyrën e saj private si sipërmarrëse.

Prej viti 2011 është kryetare e organizatës Omonoia në Degën e Selanikut dhe anëtare aktive e partisë Nea Dimokratia, në degën e Maqedonia-Thrakës, në sektorin për çështje të Ballkanit dhe në atë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

KRISTOS DUCIS

Kristos Ducis kandidon me partinë “Elliniki Lysi” në zonën e dytë të Athinës (Notios Tomeas B Athinon)

Ka kryer shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Ka punuar si mësues në rrethin e Tepelenës.

Ka shërbyer në poste drejtuese në kooperativën bujqësore të Dropullit të Sipërm dhe në qytetin e Gjirokastrës. Në 1991 emigroi familjarisht në Greqi.

Në 1993 u zgjodh kryetar i shoqatës “Digenis Akritas”. Në periudhën 1996-2005 ishte president i federatës “Shën Kozmai”, e cila nën drejtimin e zotit Duci ishte zëri përfaqësueses i homogjenëve nga Shqipëria dhe luftoi aktivisht e me rezultate konkrete për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Në periudhën 2011-2015 ishte kryetar i Bashkisë së Dropullit të Sipërm.

VINI RE: Ky material është marrë nga Balkanweb


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *