Vendosni fjalën kyçe....

Ish-presidenti Alfred Moisiu bën thirrje për zgjidhjen e krizës politike


Ish-Presidenti i vendit, Alfred Moisiu ka dalë sot në një deklaratë për mediat, për të kërkuar një pakt kombëtar për t’i dhënë zgjidhje krizës politike.

I shoqëruar nga disa intelektualë, përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe biznesit, Moisiu kërkoi një zgjidhje në interes të Shqipërisë e jo “në kurriz të saj” siç shprehet ai.

“Ministrat e Jashtëm të Këshillit të BE vendosën për të shtyrë në muajin tetor vendimin për mundësinë e hapjes së negociatave me Shqipërinë. Hapja e negociatave me BE është prioritet absolut kombëtar për vendin tonë. Në shtyrjen e tyre ka ndikuar hezitimi i disa vendeve anëtare dhe kriza politike në vend.

Hapja e negociatave, në vend se të kuptohet si një çështje mes BE dhe vendit, po përdoret si instrument i luftës politike mes shumicës e pakicës. Koha deri në tetor është e shkurtër për të bindur vendet skeptike. Punët për t’u kryer nuk janë të pakta. Kriza po përkeqësohet. Është koha për një zgjidhje në interes të Shqipërisë dhe jo në kurriz të saj. Koha për një zgjidhje afatgjatë për të mos u përsëritur krizat ciklike.

Janë të patolerueshme nxitja e urrejtjes mes shqiptarëve për interesa partiake; veprimet e dhunshme ndaj institucioneve; përdorimi i shprehjeve luftënxitëse e përçarëse; retorika denigruese ndaj rivalëve dhe ndaj secilës palë politike; mungesa e dialogut. Këta faktorë kanë çuar në cenim të sigurisë së qytetarëve, dëmtojnë demokracinë e brishtë shqiptare, po cenojnë imazhin e Shqipërisë në botë. Veprime që bien ndesh me dëshirat e popullit për integrimin europian”, tha ish-presidenti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *