Vendosni fjalën kyçe....

Disa të arrestuar për përplasjet në KZAZ-në në Shkodër, mes tyre policë dhe një punonjës i bashkisë


Pas tensioneve të djeshme në KZAZ-në Nr 3 në Shkodër, policia ka arrestuar 4 persona. Mes të arrestuarve mësohet se janë edhe dy polic të bashkisë Shkodër, dhe një punonjës tjetër i saj.

Të arrestuarit janë: Gentian Bytyqi dhe Alfred Nikolli (të dy policë bashkiak), Adi Garuci specialist i bujqesisë dhe Aleks Ndo.

Protestues nga opozita u grumbulluan mbrëmjen e kaluar pranë shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër, ku ndodhen materialet zgjedhore për qarkun të dorëzuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Protestuesit kanë thyer xhamat e shkollës dhe kanë tentuar t’i vënë flakën.

Punonjës të Policisë Bashkiake të Shkodrës, të mbështetur nga simpatizantë të Partisë Demokratike dhe ish-deputeti Bardh Spahia janë përplasur me efektivët e policisë që ruanin derën e KZAZ nr. 3 dhe me forcë kanë hyrë në ambientet e brendshme. Më pas ata i kanë vendosur zjarrin materialeve zgjedhore brenda KZAZ. 

Përplasjet në Shkodër në disa KZAZ vijojnë prej disa ditësh.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagoi mbrëmë lidhur me ngjarjen, duke thënë se asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë mandatin i cili po i mbaron.

“Përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD për të djegur një shkollë në Shkodër. Ftoj qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky turp i pamasë dhe të izolojnë bijtë e dhunës.

Asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve”-shkruante Lleshaj në Twitter.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *