Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Brendshme përgënjeshtron lajmin: Asnjë truprojë i Ramës nuk është lënduar


Ministria e Brendshme ka reaguar lidhur me denoncimin e publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, se kishte ndërruar jetë një nga truprojat e kryeministrit Edi Rama.

Sipas njoftimit të këtij dikasteri, asnjë prej truprojave të Ramës nuk është lënduar në Librazhd, duke hedhur poshtë denoncimin e Berishës.

“Ministria e Brendshme nuk angazhohet në përgënjeshtrimin publik të insinuatave apo lajmeve të rreme që publikohen nëpër rrjetet sociale.

Por kur media të caktuara, që pretendojnë seriozitet dhe përgjegjshmëri publike, bëhen zëdhënës të tyre, Ministria e Brendshme e quan me dobi publike reagimin.

MB hedh poshtë me neveri insinuatën e turpshme të publikuar sot në disa media për kinse humbje jete apo plagosje të truprojeve të Kryeministrit gjatë provokimeve nga disa protestues të Partisë Demokratike në Librazhd, më datë 13.06.2019.

Nuk ka pasur kurrfarë problemi për jetën dhe shëndetin e truprojeve të Kryeministrit gjatë veprimtarisë së zhvilluar në Librazhd, apo në qarqet e tjera të vendit gjatë këtyre ditëve.

Ministria e Brendshme fton median e përgjegjshme dhe opinionin publik që të jenë shumë të kujdesshëm me insinuata të kësaj natyre haluçinante, të cilat kanë shpesh herë të njëjtin burim dezinformimi dhe që synojnë vetëm një gjë: krijimin e një klime pasigurie dhe paqartësie në vend.

MB i kujton opinionit publik se nga i njëjti burim, që ka publikuar së pari insinuatën e sotme, vetëm përpara pak ditësh, u përhapën trillime monstruoze që synonin të kompromentonin Policinë e Shtetit dhe t’i ngarkonin asaj paturpësisht përgjegjësinë për goditjen e dy protestuesve gjatë protestës së datës 2 qershor 2019, të cilat, siç u provua botërisht, kishin ardhur nga protestues të tjerë.

MB fton mediat që kanë publikuar këtë insinuatë kaq flagrante dhe në shpërfillje të plotë të parimeve profesionale të gazetarisë që të distancohen nga praktika të tilla, që të përgënjeshtrojnë njoftimin e dhënë dhe të marrin masa që në të ardhmen të mos ndodhin më raste të ngjashme dezinformimi.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi paraditen e sotme një denoncim, sipas të cilit ka ndërruar jetë një nga truprojat e kryeministrit Edi Rama.

Në denoncimin e qytetarit, dërguar Berishës, thuhet se në një aksident të eskortës së Ramës në qytetin e Librazhdit, ka humbur jetën njëri nga truprojat, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë.

Kryeministri Rama ditën e enjte shoqërohej nga dhjetra makina të gardës dhe policisë kur kaloi në Librazhd. Eskorta e Ramës ka devijuar rrugën për të shmangur një përplasje me protestuesit.

Policia ka arrestuar 7 protestues lidhur me ngjarjen, mes të cilëve kreun e degës së PD, Bujar Vreto dhe ish-deputetin Aurel Bylykbashi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *