Vendosni fjalën kyçe....

Largimet nga administrata u rritën me 23.5 për qind në 2018-ën


Në vitin 2018 nga administrata publike u liruan 568 punonjës ku arsyeja kryesore është ajo e dorëheqjeve. Referuar shifrave zyrtare të Departamentit të Administratës Publike gjatë vitit të shkuar u larguan pas kërkesës për dorëheqje 229 nëpunës civilë.

Për shkak të mbushjes së moshës së daljes në pension nga shërbimi civil janë larguar 112 punonjës që i korrespondon 40 për qind të largimeve.

Për shkak të problematikave që mund të jenë konstatuar në përmbushjen e detyrës janë larguar apo shkaktuar 38 punonjës ndërkohë që largimet për arsye të tjera zenë një total prej 31 për qind.

“Nga analiza e të dhënave në lidhje me lirimet vihet re se gjatë vitit 2018 numri total i lirimeve në krahasim me vitin 2017, është rritur me 23.5%. Gjithashtu, vihet re se për vitin 2018, në krahasim me vitin 2017, janë: rritur me 19.9% rastet e lirimeve me dorëheqje, rritur me 3.7% rastet e lirimeve për arsye të plotësimit të moshës së pensionit, rritur me 15.2% rastet e lirimeve për shkak të masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil” dhe rritur me 52.1% rastet e lirimeve për arsye të tjera” thuhet në raportin vjetor të DAP për vitin e shkuar.

Masat disiplinore

Në vitin 2018 janë dhënë gjithsej 266 masa disiplinore për nëpunësit civilë të administratës shtetërore. Pjesën më të madhe të këtyre masave e zënë vërejtjet me 98 raste ndërsa të dytat janë pezullimet nga e drejta e ngritjes në detyrë deri në dy vjet, përfshirë rritjen në shkallën e pagës ku janë regjistruar 96 raste.

Në të paktën 34 raste nëpunësve u është mbajtur 1/3 e pagës për një periudhë 6 mujore kurse masa më ekstreme e largimeve është dhënë në 38 raste.

“Nga analiza e të dhënave në lidhje me masat disiplinore, vihet re se gjatë vitit 2018 numri total i tyre në krahasim me vitin 2017, është rritur me 150.9%. Gjithashtu konstatojmë se për vitin 2018 në krahasim me vitin 2017, janë: rritur me 15.2% rastet e masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, rritur me 112,5% rastet e masës disiplinore ‘Mbajtje deri në 1/3 e pagës për një periudhë deri në 6 muaj’, rritur me 159.5% rastet e masës disiplinore ‘Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë deri në dy vjet përfshirë rritjen në shkallën e pagës’, rritur më 390% rastet e masës disiplinore ‘Vërejtje’” thuhet në raportin e DAP.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *