Vendosni fjalën kyçe....

Luan Rama: Pse po heshtet për zbardhjen e grabitjes në Rinas


Zv.kryetari i LSI-së Luan Rama, ka denoncuar heshtjen nga ana e autoriteve lidhur me grabitjen në aeroportin e Rinasit. Sipas Ramës, qeveria dhe organet e zbatimit të ligjit po tregohen të papërgjegjshme pasi nuk ka asnjë reagim zyrtar mbi të dyshuarit, apo mbi zyrtarët që shkelën detyrën.

“Harresa shtetërore si ortakëri me banditët që grabitën në aeroportin e Rinasit!

Përpjekja shtetërore që përmes harresës të largohet vëmendja e opinionit prej aktit kriminal të grabitjes me armë në aeroportin e Rinasit, është në fakt jo vetëm qasja më e papërgjegjshme e qeverisë dhe organeve të zbatimit të ligjit ndaj ngjarjes, dhe sidomos ndaj autorëve të saj e personave përgjegjës , por edhe ortakëria e rradhës që iu ofrohet banditëve grabitës, siç për fat të keq ka ndodhur edhe më parë! 
E pikërisht m’u këtu mendoj se duhet të nisë kerkimi i shkaqeve se pse ndodhi që ngjarja u përsërit, pse ndodhi që pas zhurmës së pasngjarjes, njësoj si në ngjarjen pararendëse të grabitjes mbi dy vjet më parë po në pistën e aeroportit të Rinasit, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar se çfarë ndodhi, përse ndodhi, cilët janë personat nën hetim që me veprimet apo mosveprimet e tyre krijuan kushtet që favorizuan apo ndihmuan grabitësit, cilët prej zyrtarëve shtetërorë nuk kanë përmbushur detyrat e tyre e kështu me rradhë.
Pra, janë një mori pyetjesh, pas të cilave qëndrojnë edhe një mori problemesh në fakt, për të cilat transparenca e qeverisë ndaj qytetarëve është detyrim kushtetues, jo çështje qefi apo dëshire personale.
Natyrisht, kur flas për transparencë nuk kam parasysh aspak elementë që janë objekt i hetimit nga ana e organit që ligjërisht ka tagrin e hetimit të ngjarjes, po për të dhënë informacionin e nevojshëm, për të kuptuar që institucionet e zbatimit të ligjit, por edhe ato që kishin detyrime ligjore për të garantuar paprekshmërinë e aeroportit të Rinasit, po bëjnë detyrën dhe që nga ana tjetër, qytetarët të mund të presin zbardhjen e të vërtetës dhe ndëshkimin e fajtorëve.
Dhe kjo, jo vetëm se pandëshkueshmëria është për fat të keq konstante e pandryshueshme e institucioneve shtetërore në këtë vend, por që të paktën, të mund të shpresojmë që nuk do të kemi më një rast të përsëritur të grabitjes në pistën e aeroportit të Rinasit.”, shkruan Rama.

Në reagimin e tij, Rama shton se kurrësesi nuk mund të jetë vepër e katër, pesë apo gjashtë grabitësve siç është paraqitur deri tani. Sipas tij, prokuroria e ka për detyrë të informojë opinionin, se hetimi që po kryen, nuk është i kushtëzuar nga “urdhëri” i qeverisë, por nga urdhëri i ligjit.

Grabitja sipas zyrtarit të LSI-së ka dhunuar sigurinë kombëtare të shtetit dhe Prokuroria është e para që duhet të reagojë.

“Grabitja me armë e aeroportit të Rinasin m’u në pistë pak para nisjes e avionit të mbushur me udhëtarë, është një akt i rëndë cënimi e dhunimi i sigurisë kombëtarë të shtetit shqiptar. Si i tillë duhet hetuar dhe nga kjo përgjegjësi duhet reaguar, prej prokurorisë në rend të parë!
Por, a ka Prokurori në Republikën e Shqipërisë?!”, shkruan ish-deputeti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *