Vendosni fjalën kyçe....

Rrugët me fonde të brendshme kushtuan 10 herë më shumë se ato me fonde të huaja


Prej vitesh ekziston një praktikë ku rrugët e ndërtuara me fonde të brendshme kushtojnë shumë herë më tepër se njëjta kategori rrugë e ndërtuar me financim të huaj.

Kjo diferencë sistematike në koston për kilometër të ndërtimin me fonde te brendshme dhe të huaja tregon keqadministrimin e fondeve publike në procesin e investimeve. Për shkak se investimet me financim të huaj kalojnë në procedura e praktika kontrolli që nuk lejojnë kosto jo logjike.

Sipas të dhënave zyrtare nga ministria e Infrastrukturës në “Raportin e Monitorimit 2018” shpenzimet faktike për ndërtimin e rrugëve ishin rreth 15 miliardë lekë nga të cilat rreth 9 miliardë lekë financimin i brendshëm dhe 6.3 miliardë lekë financim i huaj.

Shifrat zyrtare të ministrisë së Infrastrukturës tregojnë se për të njëjtën kategori rruge, kosto e financimit me fonde të brendshme është 10 herë më e lartë se me fonde të huaja.

Nga të dhënat shihet se  nga financimi i brendshëm u harxhuan 4.2 miliardë lekë me të cilat u ndërtuan 28.7 kilometër rrugë të kategorisë C. Kosto për kilometër me fondet e brendshme ishte 146 milionë lekë ose 1.1 milionë euro me kursin aktual të këmbimit.

Ndërsa po për kategorinë C me fonde të huaja u harxhuan 205 milionë lekë dhe u ndërtuan 12 kilometra. Kosto për kilometër ishte 17.1 milionë lekë ose 136 mijë euro ose 10 herë më e ulët se me financim të brendshëm.

E njëjta diferencë vlen edhe për kategorinë B. Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2018 u investuan 1.7 miliardë lekë me të cilat u ndërtuan 6.7 kilometra rrugë. Kosto për kilometër ishte 262 milionë lekë ose 2 milionë euro për kilometër.

Kosto për kilometër për të njëjtën kategori rruge me fonde të huaja kushtoi shumë herë më pak. Gjatë vitit 2018 u ndërtuan 89 kilometra rrugë të kategorisë B me një shumë prej 3.2 miliardë lekësh. Kosto për kilometër ishte 36 milionë lekë ose 294 mijë euro për kilometër.

Siç shihet nga të dhënat kosto e financimit të brendshëm për kilometër me fonde të brendshme është fiks 10 herë më  larte se me fonde të huaja. Në përllogaritje nuk përfshihen shpronësimet pasi këto janë një zë i veçantë që mbulon kostot si për financimin e brendshëm dhe atë të huaj.

Gjatë vitit 2018 janë ndërtuar 4.2 kilometër autostradë e kategorisë A2 2×2 me një shumë 5.3 miliardë lekësh vetëm me fonde te brendshme. Kosto për kilometër përllogaritet në 1.27 miliardë lekë ose më shumë se 10 milionë euro për kilometër.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *