Vendosni fjalën kyçe....

Juristja pyet vëzhguesin e ONM-së: Theo, çfarë ndodhi me ty?


Juristja Sonila Bejtja, në një shkrim të sajin publikuar në disa media, i është drejtuar vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, lidhur me seancën e vettingut ndaj shefes së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Pas publikimit të vërejtjeve që Jacobs bëri ndaj Prelës në seancën dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Bejtja shkruan se u bë gati që të hapte shishen e shampanjës dhe jo për ndonjë mëri ndaj Prelës por për faktin se me këtë qëndrim ONM-ja nuk dukej aq indiferente dhe përzgjedhëse ndaj subjekteve që vettohen.

“Para ca kohësh pamë të gjithë ne shqiptarët e thjeshtë e sidomos juristët e përfshirë profesionalisht, seancën e mbajtur para KPK-së në lidhje me subjektin e kualifikimit Donika Prela, aktualisht Kryeprokurore e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. U ndjemë të gjithë të çliruar madje dhe më skeptikët, kur Zoti Theo Jacobs, një nga anëtarët e ONM, në cilësinë e oponentit të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, foli mjaft fort, madje më fort sesa në raste pararendëse. Gati, gati duartrokita, jo sepse kam ndonjë mëri personale me Donika Prelen. Fare! Madje nuk e njoh as personalisht, as profesionalisht. Por u ndjeva mirë sepse në ato momente mendova se kjo reformë, ose më mirë ONM nuk qenka aq indiferente dhe përzgjedhëse ndaj subjekteve te vettingut. Dhe me thënë të drejtën doja te shkruaja dy rreshta pozitive për vete ONM dhe Theo Jacobs.” – shkruan Bejtja.

Më tej Bejtja shkruan se ishte bërë gati të falenderonte publikisht Theon e ONM-së, por ishte në pritje të ankimimit të vendimit të KPK-së.

Por teksa priste të lexonte atë që dëgjoi me veshët e saj, në ankimimin ndaj Prelës nuk kishte asnjë fjalë nga ONM dhe Theo Jacobs.

“Kisha bërë gati një monument fjalësh e  falënderimesh per Theon dhe ONM. Por si juriste me eksperiencë prisja momentin e akimimit te vendimit të KPK-së që të isha brenda një kornize juridike të shëndoshë. Dhe ja dje, ankimimi doli. U çlirova sepse koha më dha të drejtë e në fund të fundit ‘Drejtësia fiton thashë’. Por si për zhgënjimin tim sërish, lexoj ankimimin e konstatova se ndryshe nga mjaft raste të tjera pararendëse, ONM-ja nuk foli fare, madje as Theo Jacobs hiç, as edhe nje fjali!” – shkruan më tej juristja.

Në shkrimin e saj, Bejtja, thekson më tej se kishte mbetur e habitur nga ajo që ndodhi, duke u rrekur të gjejë arsyet që e kishin shndërruar vëzhguesin Theo Jacobs nga luftëtar i seancës, në hije.

“U rreka të gjej arsyet që e kishin transformuar Z. Jacobs nga ai luftëtar i seancës se KPK, të kalonte në heshtje totale duke mos përkrahur as edhe një prej 5 shkeljeve të renditura nga vetë Komisioneri Publik në ankimimin e tij. Çfarë ndodhi vallë? Ku mbeti pilula e ONM? Si iku shija e keqe e saj e me çfarë gjeje e kishte gëlltitur Z. Jacobs pilulën? Ku shkuan standardet e rrepta dhe strikte në gjykim të ONM?” – pyet në fund Bejtja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *