Vendosni fjalën kyçe....

Brenda Vetingut/ Çfarë e lidh Xhensila Pinën me Komisionerin Publik, Florian Ballhysa?


Xhensila Pine është një prej 12 anëtarëve të Komisionit të Vetingut. Florian Ballhysa është një prej dy Komisionerëve Publikë, të cilët kanë për detyrë primare të kontrollojnë veprimtarinë e Pines dhe kolegëve të saj në shkallën e parë të Vetingut.

Por, ndërmjet dy zyrtarëve të rëndësishëm të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, duket se është krijuar një “aleancë fluide”, e reflektuar kjo në vendimmarrjen e tyre.

Kjo “aleancë”, e njohur tashmë brenda strukturave të Vetingut, del në sipërfaqe, duke konsultuar vendimmarrjen e trupave gjyqësore ku ka qenë Xhensila Pinë dhe “reagimit” të Florian Ballhysën.

Në bazë të të dhënave zyrtare, Komisioneri Publik Ballhysa, ka ankimuar, deri më tani, 10 vendime të trupave gjyqësore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të cilat kanë konfirmuar në detyrë gjyqtarë e prokurorë të ndryshëm.

Nga këto 10 ankime të dorëzuara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Florian Ballhysa, në 8 prej tyre, Xhensila Pine nuk ka qenë pjesë e trupave gjykuese.

Në dy raste të ankimuara nga Ballhysa, Pine ka qenë pjesë e trupave gjykuese, por me një specifikë të veçantë.

Në njërin prej këtyre dy rasteve, në atë të gjyqtarit Gentian Medja, komisionerja Xhensila Pine ka qenë në pakicë kundër konfirmimit në detyrë të tij, ndërkohë që dy kolegët e tjerë kanë votuar pro atij gjyqtari.

Komisioneri Publik, Ballhysa, ka ankimuar vendimin e konfirmimit në detyrë të Medjas, duke mbështetur në këtë mënyrë qëndrimin e komisioneres Xhensila Pine.

Në një rast tjetër, komisioneri Florian Ballhysa ka ankimuar vendimin e trupës së drejtuar nga Xhensila Pine për ndërprerjen e procesit të Vetingut për ish-prokurorin e Krujës, Sulejman Tola.

Por, pasi bërë ankimin, Komisioneri Publik Florian Ballhysa vendosi të tërhiqej, duke lënë në fuqi në këtë mënyrë vendimin e marrë nga trupa e KPK, e drejtuar nga Xhensila Pine.

Komisioneri Publik, krahas dy rasteve të përmendura më lart, Ballhysa, ka ankimuar vendimet e konfirmimit në detyrë për: anëtarët e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori e Edmond Islamaj; për gjyqtarët e niveleve më të ulta, Nertina Kosova e Astrit Faqolli, për prokurorët Arben Dollapaj, e Besnik Cani.

Në të gjithë këto ankimime të Ballhysës, nuk ka qenë pjesë e trupave gjykuese komsionerja e Vetingut Xhensila Pine.

Gjithashtu, Ballhysa ka ankimuar vendimet për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, si edhe për këshilltaren e Gjykatës Kushtetuese, Valbona Bala. Edhe në këto raste, Xhensila Pine nuk ka qenë pjesë e trupave gjykuese.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *