Vendosni fjalën kyçe....

Detaje nga vrasja e Jurgen Kurtit, 21-vjeçari e ndoqi nga pas


Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me vrasjen e Jurgen Kurtit më 18 mars, një ditë pas arrestimit të tre të dyshuarve Elsi Levendi, Alesio Berberi dhe Olsi Qalliaj.

Policia ka rënë në gjurmë të tyre përmes përgjimeve telefonike. Të tre janë ndaluar në të njëjtën makinë, në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.

Sipas “Balkanweb”, makina me të cilën kanë lëvizur atentatorët ka qenë  tip “Benz” ngjyrë gri është në pronësi të personit të katër të shpallur në kërkim. Ajo rezulton me dokumentacion të rregullt e regjistruar në Fier.

Pas vrasjes, policia ka grumbulluar mbi 50 kamera sigurie nga liqeni deri tek ‘Pallati me Shigjeta’, nga ku ka zbuluar 4 të rinjtë dhe lidhjen mes tyre.

Në drejtim të mjetit dyshohet se ka qenë i shpalluri në kërkim ndërsa 21-vjecari, Elsi Leventi ka qenë pranë banesës së Kurtit dhe personi që e ndiqte në këmbë atë.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se 21-vjecari ka qenë i pranishëm në zonë dhe dyshohet se ai ka njoftuar ekzekutorët për mbërritjen e Kurtit pranë pallatit.

Policia ka ndjekur lëvizjet e 21-vjetarit dhe të makinës dhe është parë se pas atentatit ata janë takuar. Pas identifikimit ata janë vënë në përgjim dhe janë arrestuar kur ishin të tre në makinë te zona e Komunës së Parisit.

Por që të tre i kanë mohuar akuzat.