Vendosni fjalën kyçe....

Në prag divorci, shqiptari qëllon me thikë gruan mes Mantovës – rrethohet nga 40 policë


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në komunën Suzzara në provincën e Mantovës në Itali, ku një grua shqiptare është qëlluar me thikë në mes të rrugës nga bashkëshorti i saj, me të cilin ishte në proces divorci.

Mediat italiane shkruajnë se burri u arrestua nga policia, ndërsa gruaja, 37 vjeç u transportua në gjendje të rëndë drejt spitalit të Mantovës.

Ngjarja ka ndodhur në parkingun e një qendre tregtare në prani të mjaft dëshmitarëve të rastit. Sipas dëshmitarëve mes çiftit shqiptar ka pasur fillimisht një përplasje verbale.

“Ti do të më shkatërrosh” dëgjohej të thoshte burri, para se të ndërmerrte aktin ekstrem.

Ai e ka goditur gruan më pas me thikë, fillimisht në krahë e më pas në qafë.

Pronari i një palestre aty pranë ka ndërhyrë për ta ndaluar shqiptarin. Edhe ai ka marrë një gërvishtje thike në gjoks gjatë përleshjes.

Shqiptari është larguar nga vendi i ngjarjes, por policia që kishte angazhuar rreth 40 efektivë ka mundur ta arrestojë atë pak metra më larg duke ndjekur gjurmët e gjakut. 48-vjeçari shqiptar me profesionin kasap është vënë në pranga me akuzën e tentativës së vrasjes.

Policia ka mundur të gjejë edhe armën e krimit, thikën që shqiptari e kishte hedhur në një kabinë elektrike.

Paraprakisht besohet se motivi i krimit është asistenca ekonomike që pas divorcit bashkëshorti duhet të paguante për 3 fëmijët. Identiteti i shqiptarëve nuk është bërë i ditur me qëllim mbrojtjen e fëmijëve të mitur.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *