Vendosni fjalën kyçe....

“Rai 2” reportazh për trafikun e drogës në Shqipëri: Paratë që blenë votat


Një tjetër reportazh i ka kushtuar “Rai 2” trafikur të drogës në Shqipëri. “Shqipëria rajoni 21-të i Italisë”, titullohet reportazhi që zgjat plot 47 minuta dhe që përshkruan se si bëhet trafikimi i drogës në Shqipëri.

Reportazhi nis sërish nga Shijaku me bisedën me trafikantin e drogës të quajtur Igli.

Ai tregon se mban një sasi droge në shtëpi për t’ja dhënë klientëve ta provojnë ndërsa pjesën tjetër thotë se e mban të fshehur në një magazinë. Ai tregon edhe armën e tij tip kallashnikov dhe thotë: “Mbron parcelat dhe mallin. Ku do të shkojë kjo drogë? Do vijë te ju në Itali” .

Fillesat sipas reportazhit nisin që në kohën e Enver Hoxhës. Pas rënies së komunizmit nisi emigrimi i shqiptarëve në masë drejt Italisë dhe më pas do të nisnin trafiqet, fillimisht i cigares e më pas i drogës.

 “Nëse kontrabanda mori një goditje të fortë në vitet 2000, trafiku i drogës nuk është ndalur asnjëherë madje Adriatiku është bërë autostrada e trafikantëve. Sipas raportit të Europol 2017, Shqipëria është laboratori kryesor për kultivimin dhe trafikimin e marijuanës. Për kontinentin e vjetër ajo është një lloj Kolumbie e drogës” – thuhet në reportazh.

Në Reportazh citohet edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, i cili thotë se “viti 2018 ka qenë viti me statistikat më të mira në 30 vitet e fundit.”

Sipas kreut të policisë janë gjetur vetëm pak plantacione ndërsa janë bërë qindra orë fluturime së bashku me GDF.

Pas Veliut citohet ish-kryeministri Sali Berisha i cili thotë se “Importi i bananeve është rritur me 10 fish. Brenda kontenierëve ose ka banane, ose ka diçka tjetër”.

Po ashtu në reportazh thuhet se droga vjen nga Kolumbia përmes transportit të bananeve, të fshehura mes frutit.

 “Nëse plantacionet në fusha të hapura janë pakësuar janë shtuar ato në sera pasi çdo javë tonelata të tëra me drogë shkojnë në Itali, ose në Turqi për t’u shkëmbyer me heroinë apo në Greqi.” – thotë Berisha.

Por Veliu nga ana tjetër thotë se “Shqipëria ishte çliruar nga marijuana në vitin 2018.”

Dokumentari kthehet në Shijak me përgjimet e grupit të Avdylajve dhe lidhjen e zgjedhjeve parlamentare me tregtimin e drogës.

Trafikanti i drogës i quajtur Igli, thotë se me paratë e drogës blihen votat në zgjedhje.

“Me këtë marijuanë blihen dhe votat. Me drogë bëhen para dhe me para blihen vota.”, thotë ai.

I pyetur nëse ndodhi kështu në zgjedhjet e fundit ai e pohon ndërsa shton se “Kështu do të ndodhë edhe në zgjedhjet e ardhshme”.

Në fund në dokumentar përmenden edhe protestat e opozitës me thirrjet “Rama ik” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Përmenden gjithashtu edhe ish-ministrat e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri dhe akuzat kundër tyre se kanë lidhje me trafikun e drogës apo fshehjen e tij për shkak të lidhjeve familjare.

Dokumentarin mund ta ndiqni këtu të plotë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *