Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti Evropian delegacion në Tiranë dhe Shkup për zbatimin e reformave


Një delegacion me deputetë të Parlamentit Evropian do të vizitojë Tiranën dhe Shkupin për të vëzhguar zbatimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe të vlerësojnë gatishmërinë e vendeve për hapjen e bisedimeve me BE-në.

Anëtarët e Komisionit të PE për Punë të Jashtme do të vlerësojnë progresin e fundit të bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia për reformat e BE-së, duke qenë se kanë mbetur më pak se katër muaj për të vlerësuar gatishmërinë për të hapur negociatat e pranimit në BE.

Një delegacion i këtij komisioni i përbërë nga 7 deputetë, i kryesuar nga z. Tunne Kelam do të takohet me udhëheqësin politik, përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërinë civile në të dy vendet nga 27 shkurti deri më 1 mars.

Gjatë kësaj vizite do të adresohen çështjet e theksuara në rezolutat e PE mbi Ballkanin Perëndimor të miratuara në nëntor 2018, së bashku me zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës në Maqedoninë e Veriut.

Përpara vizitës, Z. Kelam tha: “2019 është një vit i rëndësishëm që do të formësojë të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne e mirëpresim progresin e bërë deri më tani dhe i nxisim fort të gjitha forcat politike që të punojnë së bashku për të zbatuar reformat e nevojshme pa vonesë. Nuk ka kohë për të humbur përpara takimit të Këshillit Europian në qershor në Bruksel, ku do të merren vendime për gatishmërinë e këtyre vendeve për të hapur negociatat e pranimit”.

Duke komentuar mbi djegien e mandateve të opozitës dorëheqjen e fundit dhe protestat në Shqipëri, ai shtoi: “Ne dënojmë me forcë të gjithë retorikën politike që nxit dhunën dhe i bëjmë thirrje opozitës që të përfshihet sërish në procesin demokratik parlamentar. Qeveria dhe opozita duhet urgjentisht ta qetësojnë situatën përmes angazhimit konstruktiv”. Si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë t’iu hapet drita jeshile nga BE për hapjen e negociatave të pranimit në BE në qershor 2019.

Delegacioni i PE përbëhet nga 7 eurodeputetë. Tunne Kelam (Kryesues), Cristian Preda, Knut Fleckenstein, Juan Fernando Lopez Aguilar, Bas Belder, Ilhan Kyuchyuk dhe Tamás Meszerics.

Delegacioni do të organizojë dy konferenca shtypi, një në Tiranë më 28 shkurt dhe një tjetër në Shkup më 1 mars.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *