Vendosni fjalën kyçe....

Dyshimet mbi Top Channel/ Përse Vjollca-Blushi interesohen për plehërat e Durrësit?


Televizioni kryesor në Shqipëri, Top Channel, ka treguar një interes të veçantë për ndotjen nga mbeturinat në Durrës, ndërkohë që nuk e sheh aspak alarmante situatën në Bashkinë e Tiranës, të drejtuar nga Erion Veliaj.

Një emision i plotë “Top Story” dhe kronika periodike për keq-menaxhimin e mbetjeve urbane në qytetin bregdetar janë transmetuar së fundmi nga televizioni i drejtuar nga Vjollca Hoxha dhe Ben Blushi.

Në pamje të parë, kronikat duken të përgatitura për të sensibiluzuar institucionet shtetërore në Bashkinë e Durrësit që të marrin e nevojshme për përballimin e emergjencës së plehrave. Por, ky intensitet kronikash kritike për Durrësin vjen paralelisht me ngritjen e inceneratorit për përpunimin e mbetjeve në Tiranë.

Aktualisht, kompania koncensionare “Integrated Energy BV SPV” e Klodian Zotos, është duke ndërtuar inceneratorin e përpunimit të mbetjeve urbane në zonën e Sharrës, në Tiranë.

Kompania me seli në Hollandë ka nënshkruar kontratën koncensionare me Ministrinë e Mjedisit, në Gusht 2017 për krijimin e sistemit të nevojshëm teknologjik për përpunimin e mbeturinave dhe shndërrimin në energji elektrike.

Në bazë të kontratës koncensionare, Bashkia e Tiranës detyrohet që të furnizojë me mbeturina për përpunim kompaninë koncensionare, me një sasi prej 550 ton në ditë. Për çdo ton që do të përpunohet, Bashkia e Tiranës do i paguajë të paktën 29 euro koncensionarit.

Në bazë të përllogaritjeve, Bashkia e Tiranës duhet të depozitojë pranë landfillit të koncensionarit rreth 200 mijë ton mbeturina në vit, në mënyrë që kompania private të nxjerrë kostot e ndërtimit të inceneratorit dhe fitimet e saj, sipas kontratës me autoritetet shtetërore.

Por, kontrata parashikon, ndër të tjera, edhe të drejtën e koncensionarit që të përpunojë mbeturina edhe nga qytetet e tjera, në rast se Bashkia e Tiranës nuk arrin të grumbullojë sasinë e mbeturinave të parashikuara në kontratë.

Më saktësisht, në pikën 2.2.3 të kontratës koncensionare, parashikohet se: “Me qëllim rritjen e rentabilitetit/maksimalizimit të investimeve të koncensionarit, ky i fundit ka të drejtë të marrë dhe të furnizohet me mbetje edhe nga njësi vendore të qarqeve të tjera…për aq sa kjo nuk cënon përmbushjen e detyrimeve dhe sasisë së mbetjeve urbane që koncensionari ka sipas kësaj kontrate”.

Në mënyrë të thjeshtuar, nëse Bashkia e Tiranës depoziton sasi mbeturinash më pak se sa është parashikuar në kontratë, kompania koncensionare mund të furnizohet me mbetjet e qarqeve përreth.

Por, gjithashtu, kompania koncensionare ka të drejtën të marrë mbeturina nga qarqe të tjera, nëse ajo krijon kapacitetet për të përpunuar më shumë mbeturina sesa do të depozitojë Bashkia e Tiranës, sipas kontratës.

Pra, kompania koncensionare nuk ka asnjë ndalim që, krahas përpunimit të mbetjeve të Tiranës, të sigurojë mbeturina edhe nga zonat përreth. Dhe, zona urbane më e afërt me Tiranën është Durrësi.

Në qytetin bregdetar nuk është parashikuar, të paktën së shpejti, ngritja e një inceneratori për përpunimin e mbetjeve urbane. Ndërkohë, sipas kronikave të shpeshta të Top Channel, Durrësi është në emergjencë përsa i përket përpunimit të mbeturinave.

“Sensibilizimi” që Top Channel i bën opinionit publik dhe institucioneve shtetërore lidhur me “emergjencën e plehrave” të Durrësit shkon në interesin e kompanisë koncensionare. Në bazë të këtyre kronikave, “Integrated Energy BV SPV” e Klodian Zotos mund ta paraqesë veten si “shpëtimtare” të situatës së Durrësit, natyrisht, duke shtuar në mënyrë galopante të ardhurat e saj.

Po drejtuesit e Top Channel, Vjollca Hoxha dhe Ben Blushi, çfarë interesi kanë në rritjen e fitimeve të kompanisë koncensionare?

Përgjigja më e shpejtë është interesi publik. Ndoshta është edhe kështu. Gjithësesi, më poshtë gjenden disa prej kronikave të Top Channel, të cilat dëshmojnë interesin e shtuar të dyshes Vjollca-Blushi për emergjencën e mbeturinave të Durrësit.

http://top-channel.tv/2018/06/05/proteste-ne-landfillin-e-durresit-banoret-keshtu-nuk-jetohet-me/

http://top-channel.tv/2018/09/18/plehrat-mbeten-ne-porto-romano-bashkia-durres-pret-nga-qeveria/

http://top-channel.tv/2018/07/11/emergjenca-mjedisore-ne-durres-tani-vendimet-i-ka-qeveria/

http://top-channel.tv/2018/07/10/durres-keshilli-bashkiak-shpall-gjendjen-e-emergjences-mjedisore/

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *