Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllen hetimet për Habilajt, ç’pritet të ndodhë me ish-ministrin Tahiri


Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur dosjen ndaj grupit të Habilajve dhe e ka çuar atë për gjykim.

Krimet e Rënda kryen 16 muaj hetime ndaj grupit që akuzohet për trafik ndërkombëtar droge me destinacion Italinë.

9 anëtarët e grupit janë vëllezërit Moisi e Florian Habilaj, Armando Koçerri, Nezar Seiti, Sabaudin Çela, Tigrens Mezuraj, Fatmir Minaj, Meridjan Sulaj dhe Armando Sulaj.

Ata akuzohen për grup të strukturuar kriminal, kultivimit dhe trafikimit të drogës. Sipas prokurorëve, Moisi Habilaj është mbështetur nga struktura dhe zyrtarë të lartë të policisë për kultivimin dhe më pas trafikimin e kanabisit.

Ndërkohë në këtë dosje nuk bën pjesë ish-ministri i Brendshëm, Tahiri, ndaj të cilit hetimet vijojnë ende. Sipas prokurorisë, Habilajt kanë trafikuar drejt Italisë në 3 vite një sasi prej 3.5 tonësh kanabis.

Ish-ministri i Brendshëm po hetohet nëse ka lidhje me veprimtarinë e bandës gjatë kohës që drejtonte institucionin në fjalë.

Për Tahirin akuza ka kohë deri në datën 17 janar për të vendosur se çfarë do ndodhë me ish-ministrin.

Ai dyshohet se u ka krijuar lehtësira trafikantëve për të dërguar drogën drejt vendit fqinj.

Emri i tij u përfol pas publikimit të përgjimeve të anti-mafias italiane por deri tani nuk ka ende ndonjë të dhënë nëse emri që dilte në përgjime ka lidhje me ish-ministrin.

Tahiri është kushëri i Habilajve dhe këta të fundit kanë përdorur makinën tip “Audi” me targa AA003GB për të lëvizur drejt Greqisë dhe Italisë, ndërkohë që ish-ministri ka deklaruar se ua kishte shitur makinën atyre gjatë kësaj periudhe.

Në kërkim për ndihmën e dhënë trafikantëve të grupit Habilaj janë 3 ish-zyrtarë të lartë policie, gjatë kohës që ministër i Brendshëm ishte Tahiri, të cilët janë shpallur në kërkim.

Bëhet fjalë për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefi i anti-drogës në Vlorë, Gjergji Kohila dhe ish-shefi i postës së policisë në Dhërmi, Sokol Bode.

Në përgjime del emri i një personi, i cili dyshohet se është ish-ministri Tahiri, por sipas drejtësisë italiane, kjo lidhje nuk është mundur të verifikohet.

Antimafia e Katanias në 15 mars të vitit të kaluar, pas 5 muajsh hetime i kërkoi gjykatës pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit Tahiri, pasi nuk arriti të gjejë prova që e lidhin atë me grupin e Habilajve.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *