Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi takim me gjimnazistët: Do kërkojmë shfuqizimin e ligjit të Arsimit të Lartë, koha për të larguar Ramën


Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar një bashkëbisedim me gjimnazistët e Tiranës për problematikat në arsim.

Ky takim është organizuar nga LRI-ja dhe Kryemadhi në hyrje të tij theksoi se problematika në arsim është në gjithë zinxhirin dhe jo vetëm në universitete.

Ajo u shpreh e vetëdijshme për problemet që kanë nxënësit e shkollave të mesme të cilat sipas saj nuk zgjidhen me piktura por me përkushtim dhe vullnet politik.

“Reformimi i sistemit arsimor nuk bëhet as me dëshirë e as me piktura, por bëhet me punë, bëhet me përkushtim dhe mbi të gjitha bëhet me një angazhim dhe një vullnet politik të qeverisë, gjë e cila nuk vjen si rezultat i një partie politike, por reforma në arsim duhet të vijë si rezultat i një bashkëpunimi kombëtar.” – tha ajo.

Ajo i falenderoi gjimnazistët për pjesëmarrjen në protestën e studentëve, duke u bashkuar me ta në kërkesat e tyre të drejta. Kryemadhi theksoi gjithashtu se gjimnazistët duhet të hartojnë një rezolutë për përmirësimin e sistemit arsimor në vend që po përkeqësohet nën qeverisjen Rama.

Në fund Kryemadhi tha se është koha që populli të ngrihet për të larguar kryeministrin Rama dhe ftoi gjimnazistët që t’i bashkohen protestës së studentëve që rinis në datën 7 janar, ndërsa tha se opozita do të kërkojë abrogimin e ligjit të Arsimit të Lartë.

“Prandaj është koha për t’u ngritur. S’ka nevojë për të shkuar në anarki, sepse nuk janë aq trima ata që të presin deri te anarkia, mjafton që ju të jeni të gjithë të bashkuar. Mesazhi i studentëve ka qenë shumë i qartë: Të bashkuar kemi për të fituar! Po u bashkuan edhe gjimnazistët në protestën e studentëve që në thelb të saj është vazhdimësi e juaja, sepse vitin tjetër pjesa më e madhe e juaja do të jenë studentë, kjo do të jetë një nga fitoret më të mëdha që ka arritur rinia shqiptare, duke lënë 100 hapa mbrapa politikën shqiptare, e cila ka nevojë për ndërgjegjësimin tuaj që për hir të së vërtetës, është ndërgjegjësimi që fëmijët i bëjnë prindërve të tyre. Do të shkojmë drejt abrogimit të Ligjit të Arsimit të Lartë, i cili është një ligj që për hir të së vërtetës ka ndryshuar të gjithë formën për shkak të akteve nënligjore që ka nxjerrë qeveria, që janë në funksion të individëve të caktuar dhe jo të universitetit, të krijimit të një universiteti autonom, por në krijimin e një universiteti që i merr dhe i asfikson dalëngadalë.” – tha Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *