Vendosni fjalën kyçe....

Meta çmon revistën bektashiane “Urtësia” me titullin “Naim Frashëri” (FOTOT)


Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në veprimtarinë kushtuar 25-vjetorit të Revistës “Urtësia”, me praninë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, kreut të Bashkësisë Myslimane Shqiptare, Haxhi Skënder Bruçaj, klerikëve dhe besimtarëve të shumtë.

Presidenti Meta çmoi rolin dhe kontributin e Revistës bektashiane “Urtësia” me Titullin “Naim Frashëri”, “Në vlerësim të kontributit për ringritjen e besimit bektashian dhe monumenteve të tij të kultit, në promovimin e dijes, kulturës dhe doktrinës bektashiane duke u ofruar gjithë besimtarëve, krahas dijeve fetare, edhe mesazhe atdhedashurie, paqeje e mirëkuptimi, që synojnë përparimin e shoqërisë dhe orientimin e shqiptarëve drejt një jete të përbashkët në harmoni”.

 “Jam i lumtur që jemi së bashku në këtë veprimtari të spikatur përkujtimore të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Në këtë ditë të shënuar është kënaqësi e veçantë të përshëndes nga kjo foltore gjithë besimtarët bektashianë kudo janë dhe t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar 25-vjetorin e numrit të parë të revistës ‘Urtësia’! Mbarësi, suksese dhe devocion të lartë në përmbushjen e misionit tuaj fisnik!
25 vjet më parë klerikët e shquar bektashianë, me në krye të paharuarrin Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi ia dolën që bashkë me liritë fetare dhe ringritjen e selive të kultit t’u dhuronin shqiptarëve revistën e parë bektashiane ‘Urtësia’.
Përpjekja e tyre për të ndriçuar shpirtin e mijëra besimtarëve me dritën fetare, kulturore e artistike ka qenë dhe ngelet një akt për t’u përshëndetur.
Kjo revistë është tashmë zëri, forumi dhe shpirti i vërtetë i aktivitetit të Kryegjyshatës dhe bashkësisë tuaj të nderuar”, tha Presidenti Meta.

Ai theksoi se botimi i revistës “Urtësia” është më shumë se një gjest vullnet mirë për të plotësuar dëshirën e komunitetit tuaj të ndriçuar.

Ndërsa në fjalën e tij, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj falënderoi Presidentin e Republikës, në emrin e tij por edhe të Komunitetit Bektashian, për vlerësimin që ka bërë me këtë rast.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *