Vendosni fjalën kyçe....

25 të proceduar për protestën, Basha: Këta kapen duke vjedhur miliona euro, por s’po ndiqet njeri


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar lidhur me procedimin penal ndaj 25 pjesëmarrësve në protestën e studentëve, mes të cilëve edhe pedagogu i njohur Edmond Tupja dhe artisti Robert Aliaj.

Duke iu qeferuar qeverisë Rama, Basha thotë se ata kapen duke vjedhur 30 milionë euro dhe nuk po ndiqen penalisht, ndërsa qytetarët që kërkojnë të drejtat e tyre po.

“Kapen duke vjedhur dhe pastruar 30 milionë euro, por as hajduti psiqik dhe asnjë nga vartësit e tij nuk është duke u hetuar penalisht. Ngritën zërin kundër qeverisë, të drejtë të cilën ja u ka dhënë Zoti dhe Kushtetuta dhe ka filluar procedimi penal për 25 qytetarë të lirë.

Ky shtet po degradon përditë në një regjim hajdut dhe shtypës në duar të krimit, por që do të shembet përpara vullnetit të njerëzve.”, shkruan Basha.

25 persona janë proceduar penalisht nga policia, në lidhje me protestën e studentëve të zhvilluar ditën e djeshme përballë Ministrisë së Arsimit.

Mes të proceduarve, janë edhe figura të njohura, si pedagogu Edmond Tupja, kantautori dhe artisti i njohur Robert Aliaj.

Të tjerë të proceduar janë edhe avokati Altin Goxhaj, studentja dhe aktivistja Mirela Ruko, pedagogu Redi Muçi dhe aktivisti Klodian Leka.

Këta persona akuzohen se dje në orën 09:00, tek sheshi “Nënë Tereza”, në rrugën “Muhamed Gjollesha”, e më pas në rrugën e “Durrësit”, përpara Ministrisë së Arsimit, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente duke prishur rendin e qetësinë publike, penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, duke hedhur sende të forta në oborrin e institucionit.

Sipas policisë, po punohet ende për identifikimin e personave të tjerë që kanë bllokuar rrugën tek sheshi “Rilindja” pasi janë të fotografuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *