Vendosni fjalën kyçe....

FOTO/VIDEO-12 efektivë plagosen, dhjetëra protestues arrestohen


Përplasja para kuvendit ka sjellë bilancin e 12 efektivëve të plagosur dhe dhjetëra protestuesve të arrestuar.

Të mbledhur nga zona e Astirit, qindra qytetarë kanë kundërshtuar qeverinë Rama për projektin e segmentit rrugor nga “Pallati me Shigjeta” deri te “Sheshi Shqiponja”, pasi nuk janë dëmshpërblyer. Atyre iu janë bashkuar edhe banorët e Bregut të Lumit, që preken nga zgjerimi i Bulevardit të Ri në Tiranë.

Një efektive policie ka humbur gishtat e njërës dorë për shkak të elementeve plasëse që u hodhën në sheshin para kuvendit, policë të tjerë u plagosën dhe dhjetëra protestues u tërhoqën zvarrë e u arrestuan.

Efektivja, filmuar nga kamerat, nën dhimbje të forta u dërgua në Spitalin Ushtarak, bashkë me policët e tjerë.

Ndërsa një vajzë e re, mes lotësh mori megafonin në dorë dhe tha para të gjithë protestuesve të tjerë, që do e gjente videon ku polici shihet duke i goditur të ëmën. Me zërin që i dridhej, vajza tha se gruaja kishte ardhur këtu për shtëpinë e saj dhe jo për të “vrarë Edin”, duke iu referuar kryeministrit.

“Këtu ka kamera, ka njerëz që filmojnë me celularë. Aty në fund ndodhet nëna ime. Një nga policët e ka goditur, unë do ta gjej atë video.  Videon kur ai shkërdhata godet nënën time 65-vjeçare. Do ta marr jetën o shkërdhatë që ngrite dorën në një moshë të tretë. Nuk e kam zakon të ofendoj, por kjo fjalë ishte pak për ty. Unë do ta marr jetën, ta dëgjojnë të gjithë. Ju kërkoj ndjesë që kam përdorur fjalë banale, por është nëna ime. Më dhemb shpirti që e ka goditur. Turp për uniformën që keni veshur, që godisni një 65-vjeçare. Nuk erdhi ta vriste Edin, erdhi këtu për shtëpinë e saj.”, tha e indinjuar ajo.

Deputetet e Lëvizjes Socialiste Për Integrim ishin të pranishëm në protestë dhe mbështetën banorët. Deputetet Gjosha, Mehmetaj, Malaj e Kërpaçi si dhe deputetët Braimllari e Tusha, të pranishëm në vendngjarje, shfaqen në një video teksa u heqin nga duart policëve disa prej protestuesve, të cilët po shoqëroheshin me dhunë nga efektivët e policisë.

Ministri i Brendshëm, Lleshaj, ishte mesditën e sotme në Spitalin e Traumës, për të vizituar 6 efektivët e policisë që u plagosën pas përplasjes me protestuesit.

Pas Lleshajt, edhe kryeministri Rama ka reaguar në “Twitter” ku ka thënë se dhuna ndaj policisë nuk do tolerohej dhe se duhet të merrnin ç’u ofronte ligji dhe duhet të largoheshin nga rruga.

“Dhuna ndaj policëve në emër të paligjshmërisë, s’do tolerohet! U bëj thirrje atyre që kanë dokumenta prone a vetëm strehën pa leje:Distancohuni nga zaptuesit profesionistë dhe profesionistët e politikës qorre të shpifjeve e të rrëmujës! Merrni ç’ju jep ligji e largohuni nga rruga.” – shkruan Rama në “Twitter”./Hashtag.al

DINAMIKA E PLOTË E PROTESTËS:

DEPUTETËT E LSI-së NË PËRPLASJE ME POLICINË:

EFEKTIVËT E DHUNUAR, NË SPITAL:

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *