Vendosni fjalën kyçe....

Deputetët demokratë nga Shkodra: Vetingu në politikë dhe çlirimi i zgjedhjeve nga krimi, jetike


Deputetët demokratë, Izmira Ulqinjaku, Oerd Bylykbashi, Ervin Salianji dhe këshilltari ligjor i kësaj force politike, Gazment Bardhi, zhvilluan sot një takim me pedagogë e studentë të Universitetit të Shkodrës, në një leksion të hapur për platformën e PD-së për vetigun në politikë dhe çlirimin e ekonomisë nga krimi, oligarkia dhe korrupsioni.

Deputetja Izmira Ulqinaku se theksoi shoqëria shqiptare ndodhet në një situatë, ku institucionet e shtetit që duhet të ishin shtyllat e demokracisë, sot janë kthyer në instrumente zhvatjeje dhe presioni në dorën e një grushti njerëzish.  

“Për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje opozita shqiptare, në veçanti PD, kërkon zbatimin e vettingut në politikë. Vettingu në politikë është instrumenti që ne si opozitë e propozojmë si një prej tre hapave kryesorë e më të rëndësishëm për zgjidhjen dhe daljen nga kjo situatë e pashpresë, ku kjo qeverisje, kjo mazhorancë e ka zhytur politikën shqiptare”, u shpreh deputetja e Shkodrës Ulqinaku.

Deputeti Bylykbashi vuri në dukje nevojën për dekriminalizimin e zgjedhjeve përmes vetingut në politikë.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë propozim zyrtar në parlament për amendamente kushtetuese për heqjen e zyrtarëve të lartë që mund të jenë deputetë apo ministra, apo zyrtarë në institucione shtetërore që kanë lidhje me krimin, si një fazë tjetër e dekriminalizimit”, tha ai.

Gazment Bardhi u fokusua tek papërgjegjshmëria e Qeverisë me paratë e buxhetit të shtetit dhe nevojën urgjente për pastrimin e ekonomisë nga oligarkia dhe korrupsioni, përmes ndryshimeve në ligjin antimafia.

“Do të verifikohen të gjitha nga kontratat e koncensionit, prokurimit publik, PPP-të, aktet e lejet, licencat, për shfrytëzimin e pasurive publike të cilat dyshohen se janë dhënë në kundërshtim me ligjin, në shkelje të procedurave konkuruese publike. Pra, çdo kontratë koncensioni e cila ka patur vetëm një konkurent do të duhet ti nënshtrohet kontrollit.” – u shpreh zoti Bardhi.

Ai theksoi se ky ligj është në interesin e çdo shqiptari për shkak se paratë e përfituara në mënyrë korruptive dhe klienteliste do të kthehen atje ku e kanë vendin: në buxhetin e shtetit për tu përdorur për investime.

Deputeti Ervin Salianji vuri në dukje se Zgjedhjet janë në dorë të krimit, sepse Edi Rama ka bërë marrëveshje me krimin.

“Kryebashkiaku i Durrësit që është sa një akullore, përse merr vota, përse fiton? Merr vota sepse në çdo cep të territorit të vetë mbledh vota si menaxher i interesave të krimit. Prandaj ne kërkojmë vetting. Në Lezhë me Ndokat janë blerë vota. Në Kavajë Edi Rama mbronte prej kohësh një akullore tjetër.

Në Elbasan Taulant Balla përveçse bredh me trafikantë droge u jep paratë e shqiptarëve në konkurencë të pandershme, banditëve si Sanxhakët dhe Çelajt. Në Tiranë me Sajmir Tahirin dhe Shullazin, në Vlorë me Habilajt, Xhafajt, Damian Gjiknurin dhe me Ramën që janë thjesht mbrojtës të interesave të krimit?” – u shpreh Salianji.

Ai shtoi se nga marrëveshja me krimin Edi Rama:

Përfiton vota

Bën presion kriminal mbi votuesit

Krijon pabarazi mes kandidatëve

Përdor para të pista në zgjedhje

Përfitimi është i dyanshëm. Nga marrëveshja me Edi Ramën për angazhim në zgjedhje, krimi përfiton:

Vijimin e qetë të aktivitetit kriminal

Fuqizimin e mëtejshëm ekonomik

Zgjerimin e aktivitetit kriminal

Deputeti demokrat shpjegoi se qeveria e ndihmon fuqizimin e bandave duke i dhënë, në shkëmbim të votave, punë e shërbime publike, koncesioneve, PPP-ve, nëpërmjet të cilave pastrojnë paratë e pista, favore në zyrat e shtetit, leje e licenca publike, regjistrimi të pronave të paluajtshme.

Mesazhi i përfaqësuesve të PD për studentët e Universitetit të Shkodrës ishte se: “Askush nuk duhet të pranojë një sistem që kërkon njerëz që i nënshtron, që i mund, që i përdor. Ju dhe sidomos ju që jeni të rinj luftoni për veten, për familjen, për Shkodrën, për Shqipërinë.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *