Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqi ndaj “Ndrangheta”-s, 2 vjet burg për ish-kampionin e botës në futboll me Italinë


Ish-sulmuesi i Juventusit dhe kombëtares italiane, Vincenzo Iaquinta, i cili ishte pjesë e skuadrës fituese të Kupës Botërore në 2006, është dënuar me dy vite burg, si pjesë e një gjyqi ndaj mafias italiane.

Iaquinta, 38 vjeç, u akuzua në fund të vitit 2015 për armëmbajtje pa leje dhe u akuzua për lidhje me “Ndrangheta”-n, grup mafioz i njohur me bazë në Kalabri të Italisë.

Ish-lojtari nuk u gjet fajtor për lidhje me grupin mafioz dhe u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje.
Gjykata në Reggio Emilia vendosi se ai ia kishte dhënë dy pistoletat babait të tij, Giuseppe, i cili në atë kohë ishte i ndaluar të mbante armë zjarri me urdhër të gjykatës.

Iaquinta kishte argumentuar se ia kishte dhënë armët babait të tij për t’i ruajtur pasi po ndërronte shtëpinë, raportoi “Reuters”.

Giuseppe Iaquinta u dënua me 19 vjet burg për lidhje me “Ndrangheta”-n.

Rasti ishte pjesë e një hetimi të gjerë, pasi më shumë se 140 vetë u gjykuan pasi dyshoheshin se kishin ndihmuar “Ndrangheta”-n të shtrihej në veri të Italisë.

Iaquinta reagoi ashpër teksa dilte nga salla e gjyqit duke bërtitur: “Ne as nuk e dimë se ç’do të thotë Ndrangheta në familjen tonë. Unë jam kampion bote, jam krenar që jam kalabrez. Nuk kemi bërë asgjë, sepse nuk kemi të bëjmë fare me Ndrangheta-n. Po më vrisni mua, për familjen time dhe fëmijët e mi, pa bërë asgjë. Është turp.”

Iaquinta u tërhoq në vitin 2013 nga futbolli, duke luajtur më shumë se 40 ndeshje me ekipin kombëtar italian dhe duke shënuar gjashtë gola.

Sipas ligjit italian ai do të ketë të drejtë ta apelojë dy herë vendimin dhe pas kësaj ka mundësi të mos e vuajë dënimin në burg, për shkak së natyrës së veprës penale, sipas “Reuters”. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *