Ndahet nga jeta krijuesi i pijeve alkolike si kremin irlandez Baileys, Malibu, Le Piat d’Or dhe ‘Johnnie Walker’. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se Tom Jago është ndarë nga jeta në moshën 93 vjeçare.
Lajmin e hidhur e ka dhënë vajza e Tom Jago-s, e cila tregoi se vdekja e të atit ishte shkaktuar prej komplikimit të një frakture të pësuar nga një aksident. Jago u nda nga jeta më 12 tetor por lajmi u bë i ditur vetëm ditët e fundit.
Ishte Tom Jago i cili në vitin 1974 erdhi me idenë për përzierjen e një uiski irlandez me krem për të krijuar pijen ikonike të njohur si Kremi irlandez i Baileys, që fitoi çmimin e pijes alkoolike më të shitur në botë. Tani shet më shumë se 87 milionë shishe çdo vit në mbarë botën.
Ai gjithashtu nisi markën e verës Le Piat d’Or në vitin 1978, e cila ishte projektuar për shijet britanike. Në atë kohë ai ishte kreu i zhvillimit në “Distillers & Vintners”.
Jago ka lindur në Camelford në Cornwall. Babai i tij quhej Thomas Bennett Jago dhe ishte menaxheri i Bankës “Barcley” në qytet.
Ai ka studiuar histori në “Christ Church College”, në Oksford. Mirëpo studimet e tij u ndërprenë nga Lufta e Dytë Botërore, kur ai u bashkua me Marinën Mbretërore dhe shërbeu si një toger në Atlantikun e Veriut.
Pas diplomimit pas luftës, ai nisi punën e tij të parë në një agjenci reklamash dhe këtu ai punoi për klientët në industrinë e verës dhe alkoolit.
Jago u martua me Penelope Vaughan Morgan në vitin 1952, e cila u nda nga jeta më herët këtë vit. Ai lë pas tre djem dhe një vajzë dhe gjashtë nipër e mbesa.