Vendosni fjalën kyçe....

Rama për protestat ndaj investimit në Zvërnec: Shqipëria është vend i lirë, nuk ka projekt për t’u anuluar


Kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat kundër investimit të diskutuar në Zvërnec janë dëshmi e faktit se Shqipëria është një vend i lirë, ku qytetarët mund të shprehin pa pengesa qëndrimet e tyre.

Gjatë një konference me gazetarë të Bashkimit Europian, Rama u pyet nëse është i shqetësuar për zgjerimin e protestave të ditëve të fundit.

Ai tha se e konsideron pozitive mundësinë që qytetarët të protestojnë lirshëm, duke kujtuar ngjarjet e 21 janarit 2011, kur katër protestues humbën jetën në bulevardin para Kryeministrisë.

“Ky është një vend i lirë. Unë kam qenë pjesëmarrës në protesta dhe e njoh shijen e momentit kur e ke të vështirë të protestosh. Në këtë bulevard, në vitin 2011, katër protestues u vranë me armë. Sot është diçka shumë e mirë që njerëzit të mund të protestojnë pa asnjë problem. Kjo është një arritje e rëndësishme e këtyre viteve,” u shpreh Rama.

Kryeministri tha se protestat u nxitën fillimisht nga një incident i ndodhur në zonën ku po diskutohet investimi, kur një roje private sigurie ushtroi dhunë ndaj një protestuesi.

“Kjo protestë është provokuar nga një akt i shëmtuar dhune nga një roje sigurie kundër një protestuesi. Roja është arrestuar, drejtori i Policisë së Vlorës është shkarkuar dhe efektivët që nuk ndërhynë menjëherë janë vënë nën hetim. Kompanisë së sigurisë i është hequr licenca,” deklaroi ai.

Sipas Ramës, pas këtij episodi debati u zgjerua duke përfshirë çështje që lidhen me pronësinë, zhvillimin dhe investimet, ndërsa ai këmbënguli se aktualisht nuk ekziston një projekt konkret për t’u anuluar.

“Protesta u shndërrua në protestë masive me refrenin ‘anuloni projektin’. Unë thashë: po, e anulojmë në këtë moment, por më tregoni projektin. Nuk ka projekt. Nuk ekziston një projekt për t’u anuluar,” tha kryeministri.

Rama shtoi se debati për Zvërnecin është një shembull i mënyrës sesi, sipas tij, gjysmë të vërtetat dhe informacionet e shpërndara në rrjetet sociale mund të ndryshojnë fokusin e diskutimit publik.

“Akti i dhunës ndezi ndjenjat dhe u bë viral. Më pas çështja u zgjerua dhe nuk qëndroi më te thelbi. Kjo është një arsye për të reflektuar sesi gjysmë të vërtetat mund të ndikojnë në opinionin publik dhe të zhvendosin debatin larg fakteve,” përfundoi Rama.