Vendosni fjalën kyçe....

Rama për resortin në Zvërnec: Ky është një bekim për Shqipërinë, projekti nuk do të anulohet



Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti turistik në Zvërnec do të vijojë përpara, pavarësisht protestave që prej nëntë ditësh po zhvillohen në Tiranë kundër tij dhe kundër investimit të planifikuar në zonë.

Në një intervistë për Al Jazeera, Rama u shpreh se realizimi i projektit nuk ka qenë asnjëherë në diskutim, duke e cilësuar atë si një mundësi të madhe zhvillimi për vendin.

“Nuk ka qenë kurrë në pikëpyetje nëse ky projekt do të ecte përpara apo jo. Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend që ka një Prodhim të Brendshëm Bruto prej rreth 27 miliardë eurosh e ca, flet vetë”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur kritikave se qeveria po “shet Shqipërinë”, kreu i qeverisë theksoi se projekti bazohet në një marrëveshje mes palëve private dhe se shteti nuk është pronar i tokës ku parashikohet zhvillimi.

“Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol”, deklaroi Rama.

Ndërkohë, në një intervistë tjetër për Reuters, kryeministri ritheksoi se projekti nuk do të ndalet dhe se zhvillimi i tij do të vazhdojë sipas planit.

Sipas Ramës, investimi prej rreth 4 miliardë dollarësh financohet nga vëllezërit Al-Khayyat dhe një pjesë e resortit mund të jetë e hapur për publikun përpara përfundimit të kësaj dekade.